Fillon gjykimi ndaj Xhavit Halitit, dyshohet për sulm ndaj Arben Gashit

Përgatiti: Armand Hoti

Këtë herë, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, u paraqit në Gjykatë.

Kështu, pas disa dështimeve si pasojë e mungesës së deputetit, u krijuan kushtet që të fillojë seanca gjyqësor ndaj tij.

Xhavit Haliti dyshohet se në maj të 2018-ës, e kishte sulmuar deputetin e LDK-së, Arben Gashi, në hapësirat e Kuvendit. Në fjalën e tij, deputeti Gashi u shpreh se rasti në fjalë ishte aksident, që do të duhej të merrte fund në Kuvend.

“Kjo çështje ka qenë aksidentale. Ka ndodhur në Kuvend dhe do të duhej të përfundonte në Kuvend. Nuk më kujtohet saktë, por ka mundësi të jetë e vërtetë. Arsyeja pse mendoj që është çështje e Kuvendit është sepse debati është bërë në Kuvend, shtyrja ka filluar në Kuvend dhe s’ka pasur asgjë personale, të paktën ashtu e kam konsideruar unë”, tha Gashi.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Xhavit Halitit, kërkoi nga prokuroria të paraqesë prova më kredibile.

“Ne besojmë që Gjykata ka rastin ta disiplinojë Prokurorinë dhe të gjitha palët që të sjellin prova në Gjykatë, por edhe ato që i propozojnë me qenë autentike, pa ndërhyrje të plota dhe burimore. Në ato dy incizime shihet qartazi se ngjarja është e shkëputur dhe e prerë në montazh. Siç e thashë në fjalën hyrëse, është e çuditshme pse Prokuroria propozon incizime të komentuara dhe të analizuara nga mediume kur në publik ekziston së paku një video pa ndërhyrje dhe pa zë. Propozoj që në një afat sa më të shpejtë, video-incizimi të kërkohet pa ndërhyrje dhe prerje”, tha Kujtim Kërveshi, avokat mbrojtës i Xhavit Halitit.

Ndërkohë, i akuzuari Haliti deklaroi para trupit gjykues se me Arben Gashin ka raporte të mira. Ndërsa, veprimi që ndërmori në vitin 2018, sipas tij, nuk ishte i planifikuar.

“Nuk më kujtohet shumë mirë, nuk e di nëse mora në thu, apo ma qiti këmbën dikush, por me rëndësi unë isha duke u rrëzuar dhe jam mbajtur për dikë, pra ka qenë moment i paplanifikuar. Kam shkuar për të votuar dhe nuk e kam parë Arben Gashin para se të merrja në thu. Sa i përket Arben Gashit, ne jemi fqinj pasi që i kemi fshatrat pranë njëri-tjetrit. Babën e tij, Xhemajlin, e kam pasur shok dhe në kohën kur kemi vepruar i kemi pasur shokët e përbashkët dhe jam i bindur që kurrë të keqe nuk kemi pasur me njëri-tjetrin. Një javë pasi ka ndodhur ngjarja kam folur me Arbenin në korridor të Kuvendit dhe jemi përqafuar dhe vazhdimisht kur jemi takuar kemi buzëqeshur”, tha Haliti.

Prokuroria përmes aktakuzës, me urdhër ndëshkimor, më parë kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit, Xhavit Haliti, dhe ish-deputetin Gani Dreshaj, i cili sipas dosjes së prokurorisë, kishte kanosur Arben Gashin.

Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti, rezultoi me mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur përsëri për rastin në fjalë, por, vetëm për Xhavit Halitin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA