Federata e Futbollit e Kosovës ka hedhur hapat e para drejt një ndryshimi të rëndësishëm dhe inovativ, duke filluar procesin e decentralizimit të shërbimeve në Lidhjet Rajonale. Ky ndryshim do të sjellë një përparim të dukshëm në mënyrën se si klubet dhe palët e tjera të interesuara do të lidhen me FFK-në dhe do të marrin shërbimet e tyre.
Decentralizimi do të përfshijë digjitalizimin e shërbimeve kyçe, të cilat deri më tash ishin ofruar vetëm në selinë kryesore të FFK-së. Printimi i ID kartelave për regjistrimin e lojtarëve dhe pranimi i faturave për pagesa të ndryshme ishin procese që kërkonin përqendrim fizik dhe koordinim të kohës me FFK-në. Por me procesin e digjitalizimit, kjo gjë do të ndryshojë në aspektin pozitiv.
Në fakt, tani të gjitha këto shërbime do të mund të kryhen në Lidhjet Rajonale. Klubet, shkollat e futbollit dhe palët tjera nuk do të jenë më të detyruara të paraqiten në selinë e FFK-së për të marrë faturat apo për të printuar ID kartelat e lojtarëve. Në vend të kësaj, ata do të mund të kryejnë të gjitha këto procese në zyrat Lidhjeve Rajonale të FFK-së që janë të vendosura në 7 regjionet e Kosovës.
Ky ndryshim shërben për të lehtësuar dhe përshpejtuar shërbimet e nevojshme për klubet dhe individët e interesuar. Digjitalizimi i Lidhjeve Rajonale është projekt në kuadër të programit UEFA HatTrick, i cili synon të forcojë dhe të promovojë zhvillimin e futbollit dhe qeverisjen e mirë në të gjitha nivelet.
Tashmë ky proces ka filluar në Lidhjen Rajonale të Prishtinës dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet edhe në Lidhjet tjera rajonale.