Tri ditë më parë u mbyll nata finale e Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit “Apollon 2023”.
Teatri “ Bylis” në Fier u kthye për pesë ditë radhazi në destinacionin e artit skenik pasi edicionini 14-të i këtij festivali solli në skenën teatrore për 5 netë radhazi trupa të njohura teatrore nga Shqipëria, Kosova, e Kroacia, vepra të autorëve shqiptarë e të huaj kryesisht në gjininë e komedisë dhe monodramës, shfaqje të cilat nxjerrin në pah dhe trajtojnë probleme familjare dhe të shoqërisë që hasen më së shumti gjatë ditëve të sotme.
Në këtë festival, aktori Mentor Zyberaj u vlerësua me çmimin si aktori më i mirë protagonist i këtij festivale, për rolin e tij në shfaqjen “Ëndrrat e Hamletit”.
Ai në një intervistë për emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se prezantimi në këtë festival ishte një kënaqësi e veçantë për të dhe çmimi ishte shumë i mirëseardhur.
“Fieri, gjegjësisht Festivali Ndërkombëtar i Aktrimit që është një festival që i kushtohet mjeshtërisë aktoreske dhe aktorit në veçanti është shumë i veçantë sa i përket përmbajtjes dhe strukturës së tij, për shkak se kryesisht trajtohet vlera aktoreske e artistëve qoftë ndërkombëtarë, qoftë kombëtar, kështu që ne, në mesin e këtyre 7 shfaqjeve, nga Prishtina ishim ne, pastaj kishim përfaqësim nga Zagrebi dhe nga trojet tjera shqiptare, dhe ishte një konkurrencë mjaft e mirë dhe një afërsi shumë e madhe mes artistëve për shkak që festivali ka pasur një pauzë disa vjeçare sepse është një ndër festivalet e para në Shqipëri të realizuara, kështu që ishte edhe një kënaqësi e imja prezantimi i im në atë pjesë të festivalit ku marrin pjesë në konkurrencë zyrtare, po pastaj edhe çmimi kryesor për aktorin protagonist ishte çmim shumë i mirëseardhur”, tha aktori Zyberaj.
Ai tha se shfaqja “Ëndrrat e Hamletit” po e vazhdon të ketë një rrugëtim mjaft të suksesshëm në botë, ku mori pjesë në 15 festivale ndërkombëtare dhe pati sukses goxha të madh, ndërsa pjesëmarrja në festivalin “Apollon” në Fier ishte i pari në një festival shqiptar.
Kujtojmë se Juria e festivalit “Apollon” në Fier këtë vit kishte në përbërjen e saj aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci dhe Luli Bitri te cilët në natën finale ndanë edhe çmimet për kategoritë e përcaktuara: Aktorët joprotaginistë më të mirë u vlerësuan Mimoza Marjanaku dhe Indrit Cobani dhe aktorët protagonistë më të mirë Olta Daku dhe Mentor Zyberaj.
Ky festival erdhi ne qytetin e Fierit pas një periudhe ndërprerjeje me një kastë të njohur aktoresh të 9 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Kroacia, të cilët sollën para publikut artdashës fierak emocione të veçanta. /atvlive.tv