Fekondimi in vitro (IVF) është një procedurë mjekësore që përdoret për të ndihmuar çiftet që kanë vështirësi për të pasur fëmijë. Në këtë proces, veza e gruas dhe sperma e burrit bashkohen jashtë trupit, në laborator, dhe më pas embrioni i krijuar vendoset në mitrën e gruas për të vazhduar zhvillimin normal të shtatzënisë.
Në emisionin “LIBERO” u diskutua kjo temë (përfshirë procedurat, procesin, mundësitë, vështirësitë, paragjykimet, aspekti etik, emocional…) dhe një tjetër aspekt që u diskutua ishte edhe ai fetar. Lidhur me këtë, sipas hoxhës Agim Bekiri, Islami në parim e lejon përdorimin e IVF-së, por vendos disa kushte të qarta dhe të rëndësishme.
Ai theksoi se kushti kryesor është që fekondimi artificial të realizohet vetëm ndërmjet një çifti të martuar ligjërisht. Sipas tij, kjo është baza themelore që e bën procedurën të pranueshme nga pikëpamja islame.
Bekiri shtoi se nuk lejohet përdorimi i spermës apo vezëve nga persona të tretë, si dhe nuk lejohet që embrioni të vendoset në mitrën e një gruaje tjetër (surrogacia). Pra, çdo ndërhyrje e një pale të tretë e bën këtë proces të papranueshëm në Islam.
Megjithatë, nëse fekondimi kryhet duke përdorur materialin biologjik të vetë bashkëshortëve dhe embrioni vendoset në mitrën e gruas së martuar, atëherë procedura konsiderohet e lejuar.
Sipas Bekirit, një nga qëllimet kryesore të martesës në Islam është vazhdimësia e pasardhësve dhe ndërtimi i familjes, e cila konsiderohet një institucion i shenjtë dhe me vlerë të lartë në këtë fe.
Vlen ta përmendim se më 24 dhjetor 2024 u bë përurimi i shërbimit për frytnim të asistuar mjekësor në QKUK. Më 12 mars 2026, për herë të parë në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth IVF, klikoni në linkun e mëposhtëm:






