Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës po shkakton pasoja serioze për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Në Itali, autoritetet kanë ndaluar punën në ambient të jashtëm gjatë orëve më të nxehta të ditës në më shumë se gjysmën e rajoneve, si masë mbrojtëse për punëtorët.
Sipas raportimit të The Guardian, temperaturat ekstreme kanë marrë të paktën tri jetë deri më tani. Në Tarragona të Katalonjës (Spanjë) ka vdekur një djalë i vogël, ndërsa në Palermo ka humbur jetën një grua 53-vjeçare, dhe një 70-vjeçar ka ndërruar jetë në Torino.
Vendet më të goditura përfshijnë Spanjën, Portugalinë dhe Italinë, ndërsa temperaturat kanë thyer rekordet sezonale dhe pritet të mbeten të larta edhe në ditët në vijim.
Sipas BBC, në disa zona të Italisë, urgjencat po përballen me fluks të shtuar – me rritje deri në 20% të rasteve, kryesisht për shkak të dehidratimit tek të moshuarit. Ndërkohë, vala e të nxehtit ka goditur edhe Francën, ku disa shkolla janë detyruar të mbyllen për shkak të kushteve të papërshtatshme për nxënësit dhe mësuesit.