Kanceri i gjirit vazhdon të jetë dominues prej të gjitha llojeve të tumoreve në vend. Madje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të lehtë të numrit të rasteve me këtë sëmundje malinje.
“Numri total i rasteve që ne kemi regjistruar në këto nëntë muajt e parë, është 1 mijë e 530 dhe del se mbi 24 për qind janë me kancer të gjirit…”, tha drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi.
Ndërkaq, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, deri më tani janë kryer rreth 70 intervenime kirurgjike dhe 100 vizita specialistike.
“Këto intervenime jo vetëm që ndihmojnë në rikthimin e integritetit fizik, por gjithashtu kontribuojnë në rifitimin e besimit dhe shpresës për këto gra”, tha Violeta Zatriqi, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike.
Megjithatë, apel bëhet për kontrolle më të shpeshta.
“Lufta jonë kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Si institucione dhe si shoqëri ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar këtë betejë”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
“Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi arritur të rrisim ndërgjegjësimin qoftë të stafit, qoftë të pacientëve lidhur me kancerin e gjirit”, tha Shkëndije Nuza, drejtoreshë e Radiologjisë në QKUK.
Gjatë muajit tetor, institucionet në vend kanë organizuar aktivitete të ndryshme për ndërgjegjësim në lidhje me kancerin e gjirit. /atvlive.tv