Përgatiti: Armand Hoti
Janë bërë dy vjet e gjysmë, qëkur Sali Mulaj mban pozitën e ushtruesit të detyrës të drejtorit, në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Edhe Naim Sejdiu, bëri karrierë të gjatë si ushtrues detyre i kryeinspektorit të KPMM-së. Këtë pozitë ai e mban tash e tri vjet e gjysmë.
Bordi i ri i KPMM-së, i zgjedhur rreth një muaj më parë, akoma nuk i ka filluar procedurat për plotësimin e këtyre pozitave.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se konkurset për drejtor e kryeinspektor, është dashur të hapen qysh në javën e parë të punës së bordit të ri.
“Është dashur të fillojë implementimi i Ligjit dhe urgjentisht të shpallet konkursi për dy pozita kyçe në KPMM, pozitën e drejtorit menaxhues dhe pozitën e kryeinspektorit, pozicione këto të cilat janë si të themi palca kurrizore institucionale e KPMM-së”, tha Shala.
Edhe Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, thekson se plotësimi i dy pozitave të përmendura, duhet të jetë prioritet për bordin.
“Me ushtrues detyre, vetëm sa e cungon institucionin dhe nuk e lë të ecë përpara. Për faktin që tash kemi një konstituim të bordit të KPMM-së, mendoj që punën e parë që bordi është dashur ta bëjë është menjëherë t’i fillojë procedurat dhe ta hapë konkursin për drejtorin e ri, ta përfundojë procesin e rekrutimit të drejtorit të ri të KPMM-së, njëkohësisht edhe kryeinspektorit, e pastaj me fillu me çështje tjera”, tha Demhasaj.
Bordi treanëtarësh, ka edhe detyra të tjera.
Rreth 400 aplikacione për licencë të ndërmarrjeve publike e private, kanë mbetur pa u shqyrtuar që nga 2022-ta, kur kryesuesja e bordit paraprak u pensionua.
Burimet i thanë ATV-së, se akoma asnjë aplikacion nuk është shqyrtuar, meqë nga disa ndërmarrje pritet plotësimi i dokumentacioneve të skaduara.
Krejt kjo, sipas Demhasajt, po i favorizon bizneset e licencuara.
“Fakti që ka kaq shumë aplikime për licencë në KPMM, që nuk po shqyrtohen, i bie që ata që kanë licencë, normalisht që favorizohen sepse ata normalisht që vazhdojnë punën e tyre dhe i furnizojnë të gjitha kompanitë e mundshme në Kosovë, që kanë nevojë për gurë të fortë dhe janë pak ato që kanë licenca”, tha Demhasaj.
ATV-ja tentoi që për këtë çështje të diskutojë me kryesuesin e Bordit të KPMM-së, Habib Basholli, mirëpo ai e refuzoi kërkesën e televizionit.
Ndërkaq, flotacioni i “Trepçës” në Tunelin e Parë dhe KEK-ut në Sibovcin Jug-Perëndimor, aktualisht po operojnë pa licenca.