Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi i vunë zjarrin hamulloreve në dy raste të ndara në territorin e Klinës, raporton Sinjali.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur më 30 korrik 2026, rreth orës 11:00, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informacion për një zjarrvënie në fshatin Caravik.
“Me datën 30.07.2026 rreth orës 11:00, Stacioni Policor Klinë, ka pranuar informacion lidhur me një zjarrvënie në fshatin Caravik-Klinë. Njësitet relevante menjëherë kanë dalë nё vendin e ngjarjes, ku prezent ishte edhe njësia e zjarrfikëseve – Klinë, tё cilët kishin intervenuar në rast. Kundërvajtësi (njëkohësisht pronari i tokës), ka pranuar se i kishte djegur hamulloret, pas korrjes sё grurit. Lidhur me këtё rast është njoftuar prokurori i Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.
Rasti i dytë është raportuar po atë ditë, rreth orës 15:25, kur Policia në Klinë ka pranuar informatë për një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc.
“Me datën 30.07.2026, rreth orës 15:25, Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatë lidhur me një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc-Klinë. Njësitë policore kanё dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka vërejtur se ishin duke u djegur hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2-3 hektarësh. Në atë pjesë të tokës janë hasur edhe 3 (tre) traktorë duke bёrё lavër. Zjarri kishte përfshirë një pjesë të arës, sipërfaqe e cila paraprakisht ishte lëvruar. Zjarri është lokalizuar dhe fikur në tërësi. Nё vendin e ngjarjes njё qytetar nga fshati Gllarevë Klinë, i cili ka pranuar se është pronar i tokës dhe se ai ia ka vënë zjarrin hamulloreve me qëllim të pastrimit të pronës së tij. Lidhur me këto që u thanë më lart është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës do të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që, në çfarëdo forme, rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, përfshirë përdorimin e shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezjen e zjarreve në natyrë.





