Kriza rreth planeve të FIFA-s për të krijuar një strukturë të re komerciale dhe për të lejuar investitorë privatë të blejnë aksione minoritare në garat e saj po thellohet. Carlos Cordeiro, këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka dhënë dorëheqjen, duke kundërshtuar publikisht këtë iniciativë.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, i cili i referohet talkSPORT, dorëheqja e Cordeiros është një tjetër goditje për Infantinon, pasi tregon se presidenti i FIFA-s po humb mbështetje edhe brenda rrethit të tij më të afërt të bashkëpunëtorëve.
Cordeiro, ish-president i Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-bankier, deklaroi se nuk ishte përfshirë në hartimin e propozimit dhe se e kundërshton atë plotësisht.
“Si këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, ish-bankier dhe tifoz i përjetshëm i futbollit, nuk mund të rri duarkryq ndërsa FIFA shqyrton shitjen e aksioneve në Kupën e Botës.
Dua të jem krejtësisht i qartë: Nuk kam qenë i përfshirë në zhvillimin e këtij propozimi dhe e kundërshtoj kategorikisht. Ky është një vendim i keq për federatat anëtare të FIFA-s, i keq për futbollin dhe i keq për të ardhmen afatgjatë të lojës”, deklaroi Cordeiro.
Dorëheqja vjen menjëherë pasi UEFA, CONCACAF dhe AFC shprehën kundërshtimin e tyre ndaj planit të FIFA-s për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një njësi komerciale që do të menaxhonte garat kryesore të organizatës dhe do t’u hapte rrugë investitorëve privatë për të blerë aksione minoritare.
Këto zhvillime e vendosin presidentin Gianni Infantino përballë presionit në rritje, ndërsa konsultimet me 211 federatat anëtare të FIFA-s vazhdojnë dhe vendimi përfundimtar pritet të merret përmes votimit.





