DR. NURIDIN MESTANI, 67 VJET JETË – 42 VJET PËRVOJË AKADEMIKE!

Doktor Nuridini është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.

Shkruan: Demir Reshiti
Të martën (26 dhjetor 2023) e ka kremtuar ditëlindjen e 67-të profesori i respektuar opojan, dr. sc. Nuridin Mestani. Doktor Nuridini është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.
Punën e tij të frytshme dhe me vlerë e respekton e gjithë komuniteti intelektual, e respektojnë kolegët dhe studentët e tij të cilët kanë pasur fatin ta kenë bashkëpunëtor dhe profesor.
Prof.dr. Nuridin Mestani është i lindur me 26 dhjetor 1956 në fshatin Kuklibeg të Opojës. Është fëmija i gjashtë nga tetë fëmijët (tri vajza e pesë djem) i prindërve Mestan e Fatime Mestani.
Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Bresanë ndërsa gjimnazin në Prizren. Në tetor të vitit 1980 ka diplomuar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës me ç’rast fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Bujqësisë, seksioni i përgjithshëm.
Studimet postdiplomike i ka përfunduar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Zagrebit (Kroaci) ku fiton titullin Magjistër i specializuar në profilin Të ushqyerit e Kafshëve dhe Teknologjia e Prodhimit të Ushqimeve për Kafshë.
Në dhjetor të vitit 1996, në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës mbron me sukses temën e doktoraturës dhe fiton gradën shkencore PhD/Dr.sc. i Shkencave Bujqësore. Në po këtë fakultet, më 14 korrik të vitit 2004 merr titullin akademik Profesor.
42 vjet përvojë akademike
Në vitet 1981-1984 profesor Nuridini punon si Asistent në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet në punë hulumtuese në Institutin për Blegtori dhe Veterinari, Katedrën për të ushqyerit e kafshëve.
Në vitet 1985 -1990 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Asistent në lëndën “Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve” si dhe mban ushtrime laboratorike dhe praktike nga Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve.
Në vitet 1991-2000 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Ligjërues i lëndës “Zooteknia I (Joripërtypësit) ku ligjëron në lëmin e teknologjisë së mbarështimit të kafshëve joripërtypëse (Kuajt, Derrat dhe Shpendët) për studentët e vitit të IV të seksionit të Blegtorisë. Në vitin 2021 të njëjtën lëndë e ligjëron për studentët e seksionit të Blegtorisë dhe të Veterinarisë.
Në periudhën 2002-2011 punon si Drejtor për Kosovë i Organizatës Humanitare Heifer International Kosova me seli në Little Rock, SHBA. Organizata angazhohet në sigurimin e shërbimeve që lidhen me blegtorinë për fermerët e varfër në përputhje me Misionin e Heifer International.
Në vitet 1989-1990 dr. Nuridini ishte Anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitet 1997 – 1999 ishte Prodekan për çështje materiale në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 2010 zgjidhet Udhëheqës i Departamentit të Bioteknologjisë në Zootekni në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës. Një vit më vonë (2011) dr. Nuridini emërohet Kryetar i Këshillit Shkencor për Prodhim Bujqësor dhe Siguri të Ushqimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Në vitin 2016, ishte kandidat për rektor të Universitetit të Prishtinës i propozuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Ka kryer një mori specializimesh dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga institucione të njohura arsimore e shkencore ndërkombëtare (Holandë, ShBA, Kroaci, Gjermani, Turqi, Australi, Greqi, Shqipëri, Maqedoni, etj.) si dhe ka publikuar (si autor dhe bashkautor) dhjetëra punime shkencore në revista të njohura në gjuhë shqipe, angleze e kroate, nga fushat në të cilat është specializuar.
Profesor Nuridini ka dhënë kontribut të çmuar edhe në periudhën e rezistencës kombëtare gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ku krahas angazhimit si profesor universitar, ka mbështetur edhe shumë aksione të organizuara nga intelektualë e veprimtarë opojanë, dhe jo vetëm. Falë këtij angazhimi sot çmohet shumë nga të gjithë ata që e njohin e kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me të.
Ndonëse zyrtarisht është pensionuar dy vite më parë, profesor Nuridini vazhdon të jep kontributin e tij në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet si profesor dhe bashkëpunëtor profesional.
Aktualisht jeton në Fushë Kosovë me bashkëshorten e tij me të cilën kanë pesë fëmijë (tri vajza e dy djem) dhe janë gjyshër të lumtur të shtatë mbesave e pesë nipave!
Profesor Nuridinin e urojmë për ditëlindjen e tij të 67-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e publicistike!
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA