14 C
Pristina
E shtunë, 27 Korrik, 2024

​Dokumentimi i krimeve të luftës, Kurti tregon rrezikun që po i kanoset vendit

Është mbajtur takimi i parë zyrtar i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. I njëjti u tha se qëllim primar do të ketë ballafaqimin me të kaluarën dhe verifikimin, dokumentimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se paqja kërkon drejtësi dhe rehabilitim. Sipas tij, në Kosovë ende nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.

“Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët, krijimi i kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por të gjitha gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është se paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, tha Kurti.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tregoi objektivat kryesore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se ka arritur marrëveshje edhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave për thellim të bashkëpunimit dhe për arkivimin digjital.

“(Instituti) Ka për mision mbledhjen, arkivimin, hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Instituti do të punojë në shërbim të paqes dje drejtësisë, andaj do të sigurohet që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të mos kalohen pa u dokumentuar. Kjo është detyra e institutit karshi viktimave dhe shoqërisë në përgjithësi. Për të realizuar këtë mision, Instituti do të bashkëpunojë ngushtë me institucione dhe organizata lokale dhe ndërkombëtare që kanë rol në dokumentin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Misioni është që të kontribuoj ndjeshëm në krijimin e një shoqërie të ndërgjegjshme që themelin e paqes e ka të bazuar mbi vlerat e drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës. Një shoqëri të vendosur drejt një të ardhme të ndritur, pasi pasojat për krimet e luftës janë të njohura dhe përgjegjësitë për to janë dënuar në përputhje me ligjin. Kjo rrugë siguron fuqizimin e mëtejmë të Kosovës si shtet demokratik”, theksoi Hetemi.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti tha se do të jetë e vështirë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, pasi, sipas tij, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem dhe se gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës.

“Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht mund të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 24 vite. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kanoset dhe të cilën nuk guxojmë të lejojmë të ndodh. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë të gjithë atë çka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.

Pas fjalimeve kryesore, ky takim vazhdoi i mbyllur për medie, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe përfaqësues të tjerë.

Kryeministri Albin Kurti së fundmi e ka emëruar drejtor të Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA