Netflix është përballur me kritika dhe reagime të shumta në rrjetet sociale pas paralajmërimit të dokumentarit të ri Michael Jackson: The Verdict, i cili rikthen në vëmendje gjyqin e famshëm të Michael Jackson.
Dokumentari fokusohet në procesin gjyqësor të vitit 2003, kur artisti u akuzua për abuzim seksual ndaj të miturve, një rast që në atë kohë mori vëmendje të madhe mediatike në mbarë botën. Në projekt përfshihen rrëfime dhe dëshmi nga persona që kanë qenë pjesë e procesit, përfshirë anëtarë të jurisë, dëshmitarë dhe mbrojtës të këngëtarit.
Megjithatë, publikimi i dokumentarit ka nxitur reagime të shumta nga fansat e Michael Jackson, të cilët e kanë konsideruar të papërshtatshëm momentin e publikimit, vetëm pak kohë pas daljes së filmit biografik për jetën e artistit.
Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë rikujtuar faktin se Jackson ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata, ndërsa disa të tjerë kanë akuzuar Netflix-in se po përfiton nga rikthimi i interesit për figurën e tij.
Nga ana tjetër, regjisori Nick Green dhe producentja Fiona Stourton kanë deklaruar se dokumentari synon të sjellë një pasqyrë më të plotë dhe objektive të procesit gjyqësor, duke treguar detaje që publiku nuk pati mundësi t’i shihte gjatë kohës së gjyqit.





