Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se nuk ka pasur shkelje gjatë procesit zgjedhor që do të mund të ishin bazë për kontestim të rezultateve. Rrjeti i organizatave joqeveritare gjatë vëzhgimit të këtij procesi zgjedhore thanë se kanë vërejtur se në 5 për qind të vendvotimeve është fotografuar vota.
Eugen Cakolli nga DnV tha se gjatë pasdites nuk ka asnjë incident të ri serioz që do të mund të kishte ndikim në procesin zgjedhor.
“Problemet e vazhdueshme me ngjyrën materikuluese, e cila ende është duke u raportuar se po fshihet lehtësisht nga gishtat e votuesve është një prej elementeve që mund të ketë ndikim në të paktën besueshmërinë e publikut në rezultatin zgjedhor. Derisa nuk ka shkelje të tjera të një natyre më serioze që mund të ishte bazë qoftë për kontestim të rezultateve apo të procesit zgjedhor në tërësi”, u shpreh ai.
Ai është pyetur edhe për postimin e fundit të kryeministrit Albin Kurti para mbylljes së heshtjes zgjedhore, ku tha se PZAP duhet ta shqyrtojë nëse është thyerje e rregullave.
“Kërkesa për të dalë sa më shumë votues në zgjedhje në vetvete nuk përbën shkelje mirëpo ne besojmë që rastet kur liderët politik të subjekteve të caktuara politike aludojnë në votën ndaj subjekteve të tyre politike, mund të jenë raste kur PZAP duhej të merrte vendim dhe t’i shqyrtonte nëse të njëjtat kanë thyer rregullat e heshtjes zgjedhore, që në këtë drejtim nuk janë edhe aq të qarta sa i përket pjesës se a konsiderohet kërkesa apo thirrje që qytetarët dhe mbështetësit e një partie të dalin të votojnë si shkelje e heshtjes zgjedhore”, deklaroi ai
Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, Cakolli tha se ka qenë i qetë, me pak parregullsi.
“Sa i përket parregullsive kryesore që e kanë karakterizuar 10 orëshin e procesit të votimit, vijon të dominoj problemi i pasaktësisë së listës së votuesve, respektivisht vështirësitë që votuesit janë duke pasur për të gjetur emrin e tyre në listën e votimit. Deri më tani vëzhguesit tanë kanë raportuar që mbi 70 për qind të vendvotimeve në nivel vendi kanë pasur deri në 10 raste kur votuesit nuk kanë arritur që ta gjejnë vendvotimin e tyre. Madje, ajo çfarë bie në sy është që brenda kësaj përqindje rreth 20 për qind e tyre kanë pasur deri në 50 raste kur votuesit nuk kanë mundur ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për shkak të pasaktësisë së listës së votimit”, tha ai.
Cakolli shtoi se deri më tani votuesit me asistencë përbëjnë 6 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.
Edhe Violeta Haxholli nga DnV derklaroi se deri në orën 17:00 nuk ka pasur shkelje të reja procedurale.
“Deri në orë 17:00 kemi pasur diku rreth 10 për qind të vendvotimeve ku qytetarët kanë tentuar të votojnë me dokumente jo valide, qoftë dokumente të lëshuara nga UNMIK apo shtete të tjera sidomos tek komuniteti serb apo kudo që lëshohen nga Serbia. Sa i përket fotografimit të votës, fatkeqësisht edhe në këto zgjedhje ku ka qenë një fenomen i shprehur, ne e kemi hasur gjatë vëzhgimit tona në 5 për qind të vendvotime. Aludimi gjithmonë është që vota fotografohet nga qytetarët sepse ajo mund të jetë votë e blerë nga subjektet politike apo mund të jetë frikësim i votuesit apo thjesht ndërrim i përcaktimit të votuesit se për kë ai do të votojë”, deklaroi ajo. /kp