Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ditën e 20 të fushatës e nisi me me moton “AJ HEV GRADUEJTED n’PRISHTINË!”, duke theksuar se më shumë se diploma, rëndësi ka lidhja dhe njohja me qytetin.
Ardian Gjini, që kërkon një mandat të ri në Gjakovë, duke vlerësuar arritjet e deritanishme, përmes një mesazhi të shkurtër, ai ka shprehur bindjen se “të gjitha regjionet janë TOP”, si tregues i barazisë zhvillimore dhe përparimit të qëndrueshëm në nivel lokal.
Smajl Latifi, që garon për një mandat të ri në Rahovec ka takuar përfaqësuesit e Handikos dhe Kryqit të Kuq në objektin e rinovuar të tyre. Ai ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të jetë më aktiv me përkrahje për këto grupe dhe do të forcojë bashkëpunimin me organizatat në shërbim të komunitetit.
Në Pejë, kandidati Ali Berisha bën thirrje për të krahasuar Pejën e dikurshme me atë të sotme, nga ekonomia, sporti, gjelbërimi dhe infrastruktura. Ai premton kthimin e qytetit në pozicionin që i takon si lidere në nivel vendi.
Kandidati i AAK-së për Viti, Labinot Bislimi paraqiti një projekt ekologjik dhe urbanistik për Sllatinën e Poshtme me qëllim krijimin e një zone të pastër, të gjelbër dhe funksionale për qytetarët.
Në Vushtrri, Mensut Ademi ka vendosur theksin te përfaqësimi i brezit të ri dhe përfshirja e grave në vendimmarrje, duke prezantuar kandidaturat për Asamblenë Komunale si zë i ndryshimit, transparencës dhe bashkëpunimit qytetar.