Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajli, ka prezantuar një sërë projektesh konkrete për lagjen Barilevë, përfshirë rregullimin e lumit me shtigje vrapimi, ndriçim publik dhe përmirësim të stadiumit.
Kurse gjatë vizitës në Mramor, Ismajli prezantoi zgjidhje për ujë të pijshëm, rrugë moderne dhe hapësira publike që i japin jetë komunitetit.
Në Istog, kandidati i PDK-së, Ali Nimanaj, ka zhvilluar takime me qytetarët në Llukafc të Begut, ku tha se programi i tij është i ndërtuar mbi nevojat specifike të çdo fshati të komunës.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar projektin për transformimin e lumit “Trepça”.
Në Lipjan, kandidati i PDK-së, Shukri Buja ditën e 16-të e ka shfrytëzuar për të nderuar figurat historike të luftës së UÇK-së në këtë komunë dhe ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen masive në tubimet zgjedhore.
Në Artanë, kandidati i PDK-së, Selatin Nuhiu, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin atë dhe listën për Kuvendin Komunal, teksa është zotuar për transparencë.
Në Prizren, kandidati dhe kryetari aktual, Shaqir Totaj, ka përuruar projektin infrastrukturore dhe atë të ujësjellësit në zonat rurale të Medvecit, Zojzit, Piranës dhe Mamushës.
Totaj mori pjesë edhe në manifestimin qendror për Ditën e Boshnjakëve në fshatin Reçan të Zhupës, ku u bë hapja solemne e Sebiljit – simbol i unitetit dhe trashëgimisë boshnjake.
Në Viti, kandidati i PDK-së, Bekim Azizi, ka organizuar takime me gra dhe vajza të kësaj komune, duke premtuar mbështetje të fuqishme për fuqizimin e tyre në të gjitha fushat.
Në Vushtrri, kryetari aktual dhe kandidati për mandat të dytë, Ferit Idrizi, ka takuar zejtarët dhe bizneset lokale, duke prezantuar projektet për mandatin e ardhshëm.Ai gjithashtu ka vizituar banorët e një lagjeje të prekur nga zjarri, ku tha se ndihma e shpejtë e komunës është dëshmi e një qeverisjeje përgjegjëse.