Përgatiti: Haris Ademi
Asgjë çka u fol brenda sallës në Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nuk u bë e ditur jashtë saj. Krejt çka u tha për takimin e së mërkurës me kryespiunin Petrit Ajeti, është vetëm se u diskutua për raportimet mbi tentim-atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti, sa ky ishte në Maqedoni të Veriut, më 10 shkurt.
Pavarësisht se ishte temë e ditës, kryesuesi Sali Zyba nga Vetëvendosja, interesimin e gazetarëve për këtë temë e quajti të vonë.
“Është temë e konsumuar, nuk mund të jap detaje…”, tha Zyba.
Edhe pse tashmë kanë kaluar 11 ditë që nga raportimi i televizionit publik për këtë situatë, Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka hapur rast për hetim.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se organet e drejtësisë do të duhej të ishin transparente lidhur me rrezikimin potencial të sigurisë së Kurtit.
“Publiku ka interes për sigurinë e kryeministrit, presidentit, nuk mund të mbahen konfidenciale. Duhet të tregohet nëse vërtet ka pasur atentat, apo ka qenë lajm i rremë”, tha Miftaraj.
Ditën kur u raportua, vetë kryeministri e la si pezull mundësinë e atentatit ndaj tij.
Ndërkaq, këtë e mohoi vetë shteti maqedonas-verior, duke thënë se masat e sigurisë për vizitën e Kurtit kanë qenë sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë.






