“Diskriminuese”, ilaçi i imunoterapisë nuk jepet falas për të gjithë

Disa pacientë të prekur me lloje të ndryshme të kancerit detyrohen ta sigurojnë vet ilaçin e imunoterapisë Keytruda – Pembrolizumab. Ky medikament, i cili është pjesë e listës së barnave esenciale, në Kosovë jepet falas vetëm për pacientët e prekur me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

Kjo ishte përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) me përditësimin e listës së barnave esenciale, në vitin 2023.

Këtë vendim, ministria e arsyeton duke thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Pembrolizumabin e ka vlerësuar me efikasitet vetëm për një lloj kanceri.

Por, nga kjo ministri gjithashtu, thonë se edhe mundësitë buxhetore e kufizojnë dhënien falas – për çdo lloj të kancerit – të këtij medikamenti.

“Mundësitë buxhetore janë të tilla që nuk mund t’i aprovojmë këta barna të shtrenjta për çdo lloj të kancerit. Përzgjedhja e produkteve bëhet duke u bazuar [dhe jo vetëm] në gamën e efikasitetit të këtyre barnave [do të thotë jo vetëm a është efikas bari por edhe sa është magnituda e efikasitetit] te kanceri i caktuar dhe kosto-efikasitetin në kushtet e Kosovës. Sipas listës model të OBSH-së, e përgatitur nga ekspertët më eminentë të fushës, pembrolizumab është i aprovuar vetëm për një lloj të kancerit, ku edhe e ka treguar efikasitetin më të lartë. Fatkeqësisht, e njëjta gamë e efikasitetit nuk vërehet edhe te disa [lloje të] kancer të tjerë. Kjo është arsyeja pse në listën model të OBSH-së janë refuzuar edhe aplikacionet për imunoterapitë dhe target terapinë tjetër përveç pembrolizumabit [siç është rasti me atezolizumab, cemiplimab, palbociklib]”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë që ky ilaç, i cili mban kosto të lartë të blerjes, në një periudhë afatshkurtër t’u ofrohet edhe pacientëve të prekur me lloje të tjera të kancerit.

“Komiteti Kyç për përpilimin e LBE [Listës Esenciale të Barnave] është përgatitur që në çdo revidim të radhës, në rast se plotësohen kushtet, të bëjë intervenime me barna të rinj. Komiteti Kyç ka pasur përkrahjen e plotë të ministrit të MSH-së dhe SHSKUK-së në këtë drejtim, dhe jemi të bindur që në një periudhë afatshkurtër do të kemi lajme të mira në këtë drejtim”, thuhet po ashtu në përgjigjen e MSH-së dhënë KosovaPress-it.

Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi pranon se nga revidimi i fundit i bërë për listën e barnave esenciale është vendosur që Pembrolizumab të jepet vetëm për pacientët që janë të diagnostikuar me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

“Me revidimin e para një vit e gjysmë, indikacionet për imunoterapi të përcaktuara për dhënien e këtyre ilaçeve për pacientë, është marr vendim dhe është futur në listë esenciale të merren për rastet që kanë kancer të mushkërive me disa karakteristika të veçanta për tumoret me qeliza të mëdha dhe të cilët kanë testim për PDL1 dhe tumoret e lëkurës, konkretisht për melanoma dhe tumor të veshkave si linjë e dytë e trajtimit nëse i plotëson konditat”, theksoi ai.

Kurtishi thotë se pacientët e tjerë të prekur nga lloje të tjera të kancerit të cilëve u përshkruhet ky ilaç nga specialistët onkologjikë, duhet ta sigurojnë këtë bari.

“Jo vetëm atë [Pembrolizumab], por kanë edhe disa barna që pacientët i sigurojnë vetë të cilët nuk janë në listë esenciale qoftë për kancer të mëlçisë, kancer të gjirit, të mushkërive disa forma tabletare apo forma të veçanta që kanë impakt në shëndetin e tyre dhe shpresojmë t’i kemi në listë esenciale dhe pacientët t’i marrin tek ne”, theksoi ai.

Ky dallim po konsiderohet diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për KosovaPress se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë marrin trajtime sipas nevojave të tyre.

“Absolutisht është diskriminuese dhe e papranueshme që imunoterapia apo terapi të tjera të ndahen për kategori të caktuara dhe të mos ndahen për të gjitha kategoritë. Për neve është e papranueshme dhe në njëjtën kohë diskriminuese që pacientët të përjashtohen nga tretmanet të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për gjendjen e tyre shëndetësore. Për neve si monitorues të të drejtave të njeriut është e domosdoshme dhe patjetër e rëndësisë të parë që të gjithë personat, pavarësisht sëmundjeve, të marrin tretmanin në raport me gjendjen dhe diagnozën që ata kanë. Për neve nuk është me rëndësi a është e përcaktuar në listën esenciale qoftë një bari ose një trajtim. Për neve është absolutisht me rëndësi që të gjithë ata të trajtohen në bazë të specifikave që ata kanë“, thotë Demolli.

Edhe anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu i konsideron diskriminuese këto dallime.

“Terapia është për të përmirësuar shëndetin dhe nuk duhet të ketë diskriminim nëse mjekët onkologë parashohin që pacientit duhet t’i jepet imunoterapia, atëherë këtë nuk mund t’ia ndaloj Ministria e Shëndetësisë, është në kundërshtim me të drejtat e pacientit, gjithmonë beteja bëhet për të shpëtuar jetën, mirëpo edhe për të përmirësuar shëndetin e pacientëve këtë rast ky kufizim të cilin e ka bërë Ministria e Shëndetësisë është në kundërshtim me ligjin e shëndetësisë dhe të drejtat e pacientëve”, thotë Haxhiu.

Në Kosovë, aplikimi i imunoterapisë kundër kancerit ka nisur në vitin 2021. Bëhet fjalë për një trajtim të sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.

Sipas Klinikës së Onkologjisë vetëm këtë vit në Kosovë janë identifikuar mbi 1 mijë raste të reja me kancer./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA