Dialog dhe protestë poetike për kohën tonë

Nga: Mustafë Xhemaili

NJË HYRJE PËR POEZINË E LULZIM TAFËS

Poezia e poetit Lulzim Tafa, nuk ka dal krejt befasisht. Ajo e ka pasur një zhvillim të saj që nga botimi i librit të parë me poezi me titull “Gjaku nuk bëhet ujë”, të botuar nga Rilindja në vitin 1993 duke botuar edhe tri libra të tjerë me poezi deri në vitin 1998, (madje njëra prej tyre me poezi të dramatizuara).

Poeti Lulzim Tafa, përnjëherë “heshti”, për 14 vjetë, për t’u rishfaqur në vitin 2012 me librin poetik “I kam dy fjalë”, pastaj edhe me librin “Shtini n’dhé këto fjalë” (2015) dhe me librin tjetër “Flirt” (2019). Këtu nuk do të shfletojmë këta libra që përmenda, por dua të theksoj vetëm një mendim të poetit dhe studjuesit të letërsisë, Agim Vinca, kur, duke i krahasur tre libra të poetit Tafa, në hyrjen me rastin e botimit të librit “Shtini n’dhé këto fjalë” thotë:

“Nuk është vështirë të vërehet se ky libër, jo vetëm si frymëzim poetik dhe si koncept, por edhe me titullin është në koherencë me dy librat e tij të mëparshëm: Vdekja çon fjalë, (1998) dhe I kam edhe dy fjalë (2012). Në qoftë se titulli i librit, sipas Shopenhauerit, është (duhet të jetë) monogram i përmbajtjes së tij, atëhere mund të thuhet se në këta tre libra të Lulzim Tafës shpaloset që në titull raporti i subjektit lirik me fjalën.”

Poeti Lulzim Tafa, që mund të them se është një koprrac në botimin e librave poetik sepse vetëm pas 5 vitesh sërish i dha në dorë lexuesit një libër të ri me titull RIVALI I ADAMIT, të botuar në këtë vit. Në këtë botim Lulzim Tafa, del me ndryshe para lexuesit dhe kritikës, por ai nuk del nga idea e tij bazike për krijimin e poezisë në traditën dhe vazhdën e librave të tij të botuar deri tash. Them se me RIVALIN E ADAMIT, del më ndryshe sepse këtu del më guximshëm me hapur me poezi që në thelb kanë përmbysjen në mënyrë poetike të miteve dhe zanafillës. Në anën tjetër për t’u shprehur sa më komunikueshëm për lexuesin poeti Tafa, nuk shket asnjëhere nga idea e tij bazike që atij (lexuesit), t’ia përcjellë vazhdën dhe frymën e traditës së pasur që ka përçuar në botimet e mëparshme.

NË LUFTË POETIKE ME GËNJESHTRËN E GJENEZËS

OSE: Rivali i botës së vjetër – dashnori i botës së re

Në librin më të ri poetik, poeti është është përleshur me mitet kryesore që edhe sot e përthekojnë botën, krijimin e njeriut të parë, Adamit (Ademit) që mund të jetë i bardhë apo zi, që Eva (Hava), si dy njerëzit e parë, por i treti është poeti, të cilin “Eva më donte shumë”, sepse “Eh/Miliarda vjeç/I moçëm jam/ – Moc i Adamit/. Duke shprehur se, megjithatë, poeti mbetet i përjetshënm rival i Adamit /Sa për ta bërë xheloiz/Adamin muskuloz/, ani se ai (poeti) ka frikë vetëm nga Zoti i gjithmëshirshëm i cili falë mëkatet: /Se njëherë në Andërr/ e kam dushë /Hazreti Havën/. Dhe pastaj poeti “konstaton” se: /Sot e asaj dite/ Besoj që molla/Ishte pretekst/ Për të na përzënë/ Nga Kopshti/- nga Kopshti i Edenit, pra. Vargjet e cituara janë nga cikli i parë “Zanafillë”.

Poezitë vazhdojnë të shtrihen në mënyrë konceptuale dhe të organizuara, edhe në 7 cikle të tjera. Gjithësej në 8 cikle! Po pse jo në nëntë cikle ose në shtatë cikle, këta numra mitikë nga lashtësia dhe mitologjia jonë?! Unë e shoh këtë mospërfillje të poetit në planin e tij poetik për përmbysjen e miteve. Kjo për mua është në rregull. Kështu mund të veproj vetëm poeti. Dhe vetëm ai mund t’i përmbysë mitet. Në ndonjë analizë tjetër mund të flitet vetëm për titujt e këtyre cikleve pra që fillojnë me Zanafillën, e deri te cikli i fundit “Lisat flejnë në këmbë”. Të gjitha lidhen mjaft mirë mes veti duke krijuar një, ndoshta, ciklin e nëntë, pra duke krijuar një numër modern mitik të kohës sonë.

Sigurisht që poezia nuk mund të ngarkohet me detyra të angazhuara më shumë se sa që duron ajo, ndaj dhe përballë problemeve të shoqërive nëpër botë dhe as të shoqërisë sonë në ditët e sotme, as luftërat aktuale në botë, megjithatë poeti konstaton se “Pushkini ishte më i fortë se Putini” pra historia do të klithë nëpër kohë: Ku Pushkini e ku Putini!

TIPARE TË TJERA TË POEZISË SË LULZIM TAFËS

Këtu dua t’i përmend edhe disa tipare të thekësuara të poezisë së librit RIVALI I ADAMIT.

Befasia e fjalës së gjetur nga poeti Lulzim Tafa, në këtë botim të ri merr një shkëlqim edhe më të ndritshëm se në librat e tjerë. Te ky libër shfaqen mjaft të tilla, si “vorri duhet me pas dritare” edhe titull poezie, ose te poezia “Sa shpejt më harroi nana” një poezi antologjike, një nga më të bukurat që është shkruar për nënën në poezinë shqipe /Nana sot ka ditlindjen/ u bë katër vjeçe/Sa ngadal u rritkan të vdekurit //Ajo tash atje është fëmijë/Prindërit e mbajnë përdore/ Edhe andej si dikur/Këndej./

Ndërsa bukuria e vargut te poeti Lulzim Tafa, shpërfaqet në të shumtën e poezive të këtij vëllimi poetik: /N’lëkurën teme/Ranë//Ranë n’lëkurën teme// Kurrë s’du me t’pa/Ty që t’du/, poezia “Urtë”.

Një tjetër tipar i theksuar, jo vetëm në këtë botim të ri të poetit Tafa, është ironia dhe sarkazma. Ai është mjaft aktiv me poezi që dialogojnë me lexuesin, që është një poezi e protestës në mënyrë poetike në, dhe ndaj kohës sonë. Reagimi poetik është i theksuar madje edhe për problemet e thjeshta ditore që poeti i ngrit në nivel poetik me një lehtësi të çuditshme: /Në rast se shpërthen Virusi i Poetit/ Që hëngri kokën e vet/ Si një Kinez lakuriqin// Atëhere qeveria do të urdhërojë/ që njëshi ta lidh dyshin/ Dyshi ta lidh treshin/ Treshi ta lidhë katërshin./ E kështu me radhë/ Vetëm se këtë herë në bazë/ Të numrit të parë/ Të letërnjoftimit./, nga poezia “Pesimizëm” me motive nga pandemia e CoronaVirusit. Ose /Unë nuk luftoj/ Unë shkruaj/ Poezi antiplumb/, poezia “Lufta”. Apo kur ironizon te poezia “Purgatori”: /Ferrin deri më tani e ka të sigurt/ Vetëm zjarri/ Parajsën vetëm lulet/ Kaq di unë për këtë punë/ Ujë, flakë e shkumë/.

Lulzim Tafa është mjaft “i angazhur” të shapullisë dhe ta godisë me dackë të fortë poetike, ta quajmë kështu, deheroizmin në ditët tona, zbërdhyljes së figurës së luftëtarit për liri, zvenistjes së atdheut. Ciklin e pestë të kësaj përmbledhjeje poetike, “Tjetër kashelash për Atdheun”, e ka ndër tufën më të sukseshme të poezive te RIVALI I ADAMIT. Me gjuhë të thjesht, varg të shkurtër e konçizë, dhe me një mllef poetik, me ironi e akuzë të goditur, ai arrinë të thotë dhe komunikoj drejpërdejt me të gjithë shtresat e lexuesit. /Pak dallojnë nga heronjtë/ Njëjtë/ N’tela t’sharkisë/ Shpallen// Janë a s’janë/ C’lidhje ka// Burra e gra/ kurrë s’i kisha vra/, poezia “Tradhëtarët”.

Apo poezia “Dita e Pavarësisë”: /Sot është dita/ Kur edhe hajnat/ Dalin nëpër vorre/ Të veshur bukur/ Në erën e parfumit të shenjtë/ Dah atdheu./ Lavdi u qoftë/ heronjve/.

Poezia “Atdheu jem”, shpërfaq më së miri dhembjen e poetit për gjendjen në të cilën e sheh vendin e tij: /Duket si një fëmijë që beson/ Atdheu im naiv./ Tu’ e bë bé rrejshëm/ Shih/ Sa zaif/ Po rri. //Atdheu jem/ Dhembja jem/ Asht e l’kurë/.

Në parathënien e librit RIVALI I ADAMIT, të poetit Lulzim Tafa, kritiku letrar dhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, e fillon duke e zbërthyer poezinë “Bisedë me hije”, që e përmbyllë këtë vepër poetike, duke e përkufizuar thotë me të drejtë: “Kjo poezi nuk është në fillim të përmbledhjes. Programi filozofik personal i autorit Lulzim Tafa që përmblidhet në këtë poezi, më detyroi ta nxjerr në fillim, për ta nisur me këto vargje e për ta përmbyllur me një poezi tjetër të fuqishme, me një lirikë (Lirika për Lulin është gjithçka, gjithçka.)”.

E pra, poeti Lulzim Tafa, nuk e ka një poezi të zakonshme, as të komplikuar, as të rimuar, as të pispillosur, as të përjargur, as vajtuese, as të shplarë, as të largët për lexuesin, por e ka një poezi që tashmë e ka edhe vokacion e tij, të gjetur dhe zhvilluar nga talenti poetik me përkushtim të sinçertë për vargun dhe mbretëreshën poezi.

Në anën tjetër, kam përshtypjen se kritika jonë letrare i ka mbetur borxh poetit Lulzim Tafa dhe se, duket që nuk ka guximin e vullnetin e duhur për t’u rrekur me poezinë e këtij autori të përveçëm që ka çelë rrugë dhe shteg të ri të poezisë bashkëhore shqiptare.

Lulzim Tafa, tashmë është bërë njëri ndër emrat më të përfolur e të përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës. Ai është i nderuar e i respektuar anekënd botes letrare.

Urime dhe suksese, miku im poet, Lulzim Tafa, rival i botës së vjetër – dashnor i botës së re.

(Shkrimi im kritik vlerësues që lexova në promovimin e librit RIVALI I ADAMIT të poetit Lulzim Tafa, (botoi Kolegji AAB- Prishtinë 2024), të organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Edicion e VI-të të Panairit të Librit në Ferizaj.)

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA