Përgatiti: Driton Sadiku
Shefi i Agjencisë Kosovare të inteligjencës, Petrit Ajeti, u thirr të mërkurën për të raportuar në Komisionin parlamentar që mbikëqyr këtë institucion.
Por arsyet e ftesës ngjallën debat të ashpër mes anëtarëve të komisionit.
Madje, deputetët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje e lëshuan sallën, me arsyen se kjo thirrje është e kundërligjshme.
“Siç e kuptuam nga ajo përpjekje për ta mbajtur atë mbledhje dhe pati tendenca për të tejkaluar kompetencat e Komisionit tonë, në veçanti me cenu dhe denigru pozicionin e Agjencisë, këtë rast përmes numrit të vogël të deputetëve që nuk treguan se kush janë thirrësit”, tha deputeti i LV-së, Salih Zyba.
“Mbledhja është dashur të thirret si mbledhje e zakonshme dhe ne do të kishim marrë pjesë në kuptimin siç e bën drejtori i AKI-së. Është thirrur qëllimisht e jashtëzakonshme për të krijuar dramë, të cilat në ditët në vazhdim do të shihni e që do të keqpërdoren”, tha deputeti i LV-së, Arbër Rexhaj.
Por, kryetarja e komisionit, që vjen nga Partia Demokratike, Ganimete Musliu, tha se Ajeti është ftuar për të diskutuar për dy çështje, për raportimet se disa gazetarë po përcillen nga agjentët e AKI-së dhe për ndërhyrjen e Dejona Mihalit në institucionet vendimmarrëse.
“E patë se çka ndodhi në mbledhje, u pengua që të mbahet mbledhja. Duke ndjekur me shqetësim, me mbështetjen e 1/3 së komisionit, kemi ftuar për raportim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, për raportimet se disa gazetarë po përndiqen nga zyrtarë të AKI-së dhe ndikimin e Dejona Mihalit në disa institucione të rëndësishme”, tha Musliu.
Tutje, Musliu tha se deputetët e mazhorancës nuk lejuan as bashkëbisedim me drejtorin e AKI-së, duke i bërë presion direkt atij.