Përgatiti: Benita Zeneli
Pas një muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për seancë, por jo në sallën e zakonshme.
Meqë salla plenare është ende në rinovim, u improvizua kjo sallë alternative.
Këtu erdhën edhe deputetët e Listës Serbe, vetëm sa për ta vazhduar mandatin, dhe më pas dolën jashtë pa marrë pjesë në asnjë diskutim.
Kjo nxiti reagimin e opozitës.
Kuvendi më pas sqaroi se organizimi i seancës me këso kushte nuk u bë për shkak të Listës Serbe, sepse ata edhe ashtu do të kishin mandat deri në fund të gushtit.
Sallën të enjten, e lëshuan edhe partitë opozitare, meqë nuk kaloi propozimi i tyre që të tërhiqen nga rendi i ditës tri projektligje, ai për KPK-në, KPM-në, si dhe ai për Zyrtarët Publikë.
Ky veprim e pamundësoi punën, në mungesë kuorumi, pasi në sallë mbetën vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Prandaj dita u mbyll me vetëm një propozim të miratuar, kërkesën që Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës të kthehet për plotësim në Komision.
Deputeti nga AAK-ja, Bekë Berisha, hodhi akuza në drejtim të deputetit të pushtetit, Enver Dugolli, që, sipas tij, ka propozuar amendamente që nuk janë rezultat i grupit punues.
“Ky projektligj me ato amendamente nuk duhet të miratohet, sepse do ta cenojë sigurinë kombëtare, do të cenojë bashkëpunimin në këtë fushë edhe me partnerët tanë”, tha Berisha.
Njësoj u tha edhe nga PDK-ja.
“Qëndrojnë ato që tha Bekë Berisha, është një konflikt mes dy institucioneve të vendit. Me këto amendamente është mënjanuar nga përgjegjësia, qoftë për emrin e drejtorit, i largohet kompetenca institucionit të Presidenti të vendit”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Akuzat u mohuan nga partia në pushtet.
“Nuk qëndrojnë të gjitha ato pretendime që Berisha i përmendi. Pajtohemi që sot ky projektligj të kalohet në Komision dhe në kuadër të Komisionit të trajtohet me tutje për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Meqë ishin prezent, fjala iu dha edhe deputetëve të listës serbe, por që nuk e shfrytëzuan atë.
Kështu, me 69 vota për, 4 kundër, asnjë abstenim u vendos që të kthehet për plotësim në Komision ky projektligj.