Depërtimi i “furishëm” i Inteligjencës Artificiale në rajon

Nga Klesiana Omeri dhe Nora Luta

E veshur me xhaketë të zezë, e kuruar në detaje “Tokyo Tirana” u shfaq në Euroneës Albania në 2 tetor, 2023, teksa përcillte çdo informacion me shumë saktësi, pa pasur nevojë as për letër dhe as për promter. Në pamje të parë nuk ka asnjë element që mund të krijoj habi, derisa mëson se Tokyo është krijimi i Inteligjencës Artificiale që flet për herë të parë shqip.

I gjithë ky revolucion ngriti shqetësimet e para për manipulimin e informacionit, që dukshëm kishte depërtuar në rajon. Shqipëria dhe Kosova nuk i shpëtuan pasojave të para.

Në Shqipëri, të parët që u përballën me efektet negative ishin personazhet e shoëbiz-it. Një video erotike me pretendimin se ishte e moderatores Luana Vjollca qarkulloi masivisht në rrjetet sociale, dhe vetëm pas analizës së ekspertëve u vertetua se bëhej fjalë për një prodhim të Inteligjencës Artificiale.

Eksperti i Teknologjisë, Tomi Kallanxhi e sheh Inteligjencën Artificiale si burim rreziku, kryesisht për materialet që qarkullojnë në disa aplikacione online dhe që sipas tij janë më të vështira për tu evidentuar si të rreme.

“Inteligjenca artificiale mund të manipulojë informacionin, sidomos në rrjetet sociale, si psh Tik Tok ku në mënyrë të vetëdijshme lejohet që të postohet çdo informacion i mundshëm dhe nëpërmjet Inteligjencës Artificiale mund të prodhojmë video ose audio dhe prodhime zërash pafund, dhe pikërisht këto materiale janë më të vështira për tu kontrolluar” , shprehet Kallanxhi.

Teksa në Shqipëri targeti ishin personazhet e “botës rozë”, në Kosovë Inteligjenca Artificiale kishte depërtuar edhe më thellë.

Një video që shfaqte presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, duke thënë se “Nëse Serbia nis agresionin kundër fqinjëve të saj, Kosovës ose Bosnjë e Hercegovinës, SHBA-ja do të hezitoj të përdor të gjithë forcën e nevojshme në përgjigje”, mori hov pothuajse në të gjitha rrjetet sociale në Kosovë, duke nxitur një impakt pozitiv te publiku kosovar, i cili njihet për lidhjen e veçantë me shtetin amerikan. Video mori mbi 70 mijë klikime e qindra komente.
Por pas verifikimit nga Hibrid, doli se deklarata e presidentit amerikan është e rreme, dhe se për përmbajtjen e saj u përdor Intelegjenca Artificiale.

Nga Hibrid.info, e cila merret me verifikimin e lajmeve të rreme, thonë se kanë hasur në dhjetëra raste të tilla vetëm muajve të fundit. Sipas tyre paportimet përmes AI-së kanë marrë hov, sidomos në rrjetet sociale si TikTok, Instagram e Facebook.

Mediat aspak gati për vrullin e Inteligjencës Artificiale.

Ky revolucion teknologjik duket se gjen më të papërgatitur mediat në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat në shumë raste kanë dështuar në evidentimin e lajmeve dhe imazheve të rreme të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale.

Në Shqipëri, një fakt të tillë e konfirmoi eksperimenti i gazetarit Emirjon Senja, i cili me vetëdije prodhoi një lajm të rremë me imazhe të krijuara nga kjo teknologji.

Imazhet qarkulluan masivisht nëpër media të tjera sociale, duke u marrë si të mirqëna, pa bërë asnjë përpjekje për verifikim.
Për gazetarin dhe ekspertin e komunikimit Emirjon Senja, Inteligjenca Artificiale ka hequr edhe pengesën e fundit për lajmet e rreme, që ishte kostoja e prodhimit.

“Kostoja e prodhimit deri më tani pengonte shumë të tjerë që të futeshin në treg pasi të prodhojë duhej të paguaje. Sot, mund të prodhosh tekst, foto apo video përmes aplikacioneve të AI pa asnjë kosto. Zerimi i kostos së shpërndarjes përmes rrjeteve sociale më herët dhe zerimi i kostos së prodhimit tani përmes AI e ka bërë më të lehtë pëhapjen e lajmeve të pavërteta”, thotë ndër të tjera Senja.

Gazetari i grupit “Koha” në Kosovë, Fitim Gashi përmend një rast në Kosovë, sikurse është publikimi i një audio-incizimi, ku pretendohej për një bisedë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadorit të ShBA-së, Jeffrey Hovenier.

“Pra, ishte marrë zëri dhe fotoja e dy protagonistëve ku nëpërmjet tyre janë prodhuar fjali sikur ata i kanë thënë. Sipas bisedës së fabrikuar që nuk është bërë asnjëherë, Kurti i thotë ambasadorit se “do t’i arrestojnë të gjithë serbët në veri, pa marrë parasysh nëse janë fajtor apo jo”, rrëfen Gashi.

Kjo audio u publikua pas shpërthimit të tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe më 26 maj 2023, kur u vendosën kryetarët shqiptarë në objektet komunale, me ndihmën e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Për gazetarin Fitim Gashi, një ndër rreziqet e Inteligjencës Artificiale është mënyra paragjykuese dhe ndonjëherë mungesa e saktësisë së informacioneve që ofron.

“Prandaj është me rëndësi që gazetarët ta njohin kontekstin e çështjes për të cilën raportojnë duke bërë gjithmonë verifikim të fakteve dhe informacioneve. Nga ajo që kemi arritur të identifikojmë është se informatat e rrejshme nuk po shpërndahen vetëm përmes përmbajtjes nëpërmjet raportimeve gazetareske, por gjithnjë e më shumë ka edhe video dhe audio të manipuluara të cilat nxirren nga konteksti dhe përdoren për të dezinformuar”, thotë Gashi.

Fatbardh Dema, që është përgjegjës në HIBRID për kontrollimin e fakteve, thotë se tashmë parandalimi i përdorimit të AI-së edhe në gazetari është teknikisht i pamundur. “Ne jemi të fokusuar tek edukimi i audiencës për njohjen dhe identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, në mënyrë që të mos bien pre e tyre”, thotë Dema.

Ndërkohë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë treguar se deri tani nuk kanë të dhënë se sa përdorët AI nga gazetarët në shtetin kosovar, por pohojnë se është një revolucion i jashtëzakonshëm, që nëse përdoret në formë të përgjegjshme, mund të shkurtojë kohën e punës së gazetarëve sa i përket transkriptimit, përkthimit deri në një masë, dhe të tjerave punë kryesisht teknike.

“Tashmë e kemi parë këtë të përdoret, sidomos sa i përket luftës në Ukrainë dhe asaj mes Izraelit dhe Hamasit. Ndërsa ajo cfarë kemi parë në Kosovë e që ka qenë shumë shqetësuese është përdorimi i një fotografite të Liridona Ademajt, të shndërruar në video pas vrasjes së saj, në të cilën duket sikur ajo po flet. Kjo është bërë nga një faqe online në Shqipëri”, thotë kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.

Një tjetër këndvështrim vjen nga i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Kryetari Isa Myzyraj thotë se roli i gazetarit është i pazëvëndësueshëm, por vendos para përgjegjësisë mediat që duhet të shtojnë kapacitetet e identifikimit.

“Gazetarët nuk janë të rrezikuara nga AI, pasi askush, asgjë dhe kurrë nuk mund ta zëvendësojë rolin e gazetarit nē gjetjen e lajmit apo kontaktit me burime. Ndërkohë mediat janë në rrezik për shkak se duhet të shtojnë kapacitetet sa i perket identifikimit te vertetesise së lajmeve, imazheve dhe videove. Pra, AI sot është e gatshme të prodhoje mjaft imazhe në dukje të vërteta, dhe mediat mund te bien pre e ketyre imazheve dhe ti transmetojne si të verteta”, thotë Myzyraj.

Eksperti , Tomi Kallanxhi evidenton aplikacionet më problematike dhe ato të cilat kanë më shumë filtra mbrojtës, ku më së shumti qarkullojnë lajmet online.

Në rrjetet sociale të tjera, si puna e “Meta”- s, është thuajse e pamundur të mos evidentohet materiali i rremë sepse çdo artikull që postohet në facebook apo Instagram kontrollohet nga sektori i censurës. Psh: Facebook ka mbi 50 mijë “content menager” që kontrollojnë çdo artikull që hidhet. Në facebook është më e vështirë të prodhosh një fake neës se sa në Tik Tok”, thotë Kallanxhi.

Inteligjenca artificiale dhe zgjedhjet
Teksa nëpërmjet Inteligjencës Artificiale janë prodhuar shumë lajme të rreme në SHBA, Europë por dhe Azi, është ngritur alarmi në shumë shtete të tjera, që do t’i organzojnë zgjedhjet vitin e ardhshëm. Sfidë mbetet edhe për Shqipërinë, e cila pranverën e ardhshme do të ketë garën parlamentare.

Rrjetet sociale çdo vit e më shumë po përfitojnë terren nga politikanët në vendin tonë, si një avantazh i fuqishëm për të komunikuar me zgjedhësit e tyre sidomos në kushtet e një gare. Katër muaj më parë, kryeministri Edi Rama hapi siparin e politikanëve që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale për të përcjellë mesazhe, pasi zgjodhi që urimin tradicional të fundvitit ta përcillte nëpërmjet një video të krijuar nga kjo teknologji.

Kjo ishte një dëshmi e qartë se ky progres teknologjik po shënonte një fazë të rëndësishme në vendin tonë. Drejtuesja e AKSH dha këtë argumentim për krijimin e kësaj video.

“Ne morëm një foto nga urimi juaj i vitit të kaluar, bashkëpunuam me zyrën e shtypit, dhe pastaj e mori koka e Departamentit të Inteligjencës artificiale në AKSH dhe pastaj krijoi videon që pamë”, tha ajo.

Për gazetarët që mbulojnë aktivitetin politik, përdorimi i kësaj teknologjike rrit ndjeshëm rrezikun për dezinformim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Shumëkush as nuk e kuptoi videon e kryeministrit Rama të prodhuar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, dhe nëse do të shihje komentet e audiencës, shumica nuk ishin as të habitur dhe as të impresionuar që për herë të parë urimin tradicional nuk po e merrnin nga vetë kryeministri, por uronin dhe vlerësonin punën dhe ato çfarë imazhi i prodhuar nga AI thoshte. Kjo tregon mundësitë e shumta për të manipuluar audiencën nëpërmjet imazhit të prodhuar nga kjo teknologji edhe gjatë një periudhe të ndjeshme siç është ajo e fushatave zgjedhore”, shprehet gazetari i News 24 në Shqipëri, Osman Stafa.
Për reporterin në Kosovë, Fitim Gashi, i cili së fundmi udhëheq edhe projektin kundër dezinformit në “Sbunker”, rrjetet sociale janë një element i rëndësishëm për shpërndarjen e lajmeve të rreme gjatë periudhës së zgjedhjeve.

“Dezinformimet që prodhohen përmes inteligjencës artificiale në kohë zgjedhjesh në përgjithësi mund të përfshijnë shpifjen, përdorimin e fotove apo videove duke i nxjerrë nga konteksti me qëllimin që të ndikohet në orientimin e votuesve. Kjo kryesisht bëhet përmes mediave sociale, të cilat në kohë zgjedhjesh përdoren nga partitë politike. Ato krijojnë faqe të ndryshme për të shpërndarë informacione të rrejshme, me synim krijimin e një perceptimi të pavërtetë rreth kandidatëve, partive politike, ose vetë procesit zgjedhor”, thekson Gashi.

Kjo është konstatuar edhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare, si në atë të Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Evropian sipas të cilit në zgjedhjet e kaluara në Kosovë aktorët politikë shpesh përdornin portalet e lajmeve si faqe dezinformimi dhe duke gjeneruar dezinformata me synimin që të arrihen qëllimet politike.

Gazmend Syla, drejtor i informacionit në Klan Kosova, me përvojë shumë vjeçare në gazetarinë kosovare thotë se çfarëdo zhvillimi tjetër teknologjik mund të rrezikoj raportimin profesional, të dinjitetshëm dhe etik.

“Mund të ndikojë në raportim vetëm për ato raste kur dikush i beson qorrazInteligjences artificiale. Përndryshe, për çdo gazetare, përfshirë atë që ka nisur punen para dy jave, e di se gjithcka duhet kontrolluar e verifikuar të paktën dy herë para se të publikoj diçka. AI mund ta propozojë një super raport, për një filan ngjarje ose temë, por kurrë nuk do të jete në gjendje ta bëjë atë sikur një gazetar që ka qenë fizikisht në atë ngjarje, ose që merret shume kohë e profesionalisht me një temë të caktuar”, thotë Syla, i cili përmend që intelegjenca artificiale mund të përdoret nga gazetari, por jo të ketë kontroll mbi të dhe raportimin professional. “ Që AI mund t’i hyjë në pune një gazetari, kjo është shume e vërtete, por unë, si një dashamir i gazetarisë që bëhet prej gazetarit njeri, besoj se ky i fundit duhet ta kete kontrollin mbi AI-se dhe jo e kunderta”, thekson ndër të tjera drejtori i Informacionit në Klan Kosova.

Eksperti i teknologjisë, Tomi Kallanxhi evidenton sfidën e madhe që mediat dhe gazetarët mund të hasin gjatë zgjedhjeve të ardhshme nëse materialet e rreme do të prodhohen nga vende ku BE e ka të pamundur kontrollin.

“Zgjedhjet e ardhshme do jenë ndoshta më agresive, ku Inteligjenca Artificiale mund të prekë majat, pasi këto lloj mjetesh të Inteligjencës Artificiale nuk lejohen në BE, sepse çdo përdorues duhet të verifikohet. Por kemi një problem tjetër, sepse shumica e këtyre start ap- eve që prodhojnë lajmet fake ndodhen në Rusi, Pakistan dhe Bangladesh, gjë që e bën më të vështirë dhe thuajse të pamundur kontrollin e tyre”, shpjegon Kallanxhi.

Sipas të dhënave nga “Oxford Insights” në vitin 2022, Indeksi i Gatishmërisë së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri dhe Kosovë ka pësuar rritje.

Të gjitha këto të dhëna dhe këndvështrime janë një tregues se Inteligjenca Artificiale është një sfidë për tregun mediatik në të dyja vendet, të cilat i gjen të papërgatitura. Teksa kanë një “luftë” të hapur me dezinformimin, metoda të reja për shpërndarjen e tij shfaqen në horizont.
Aq sa konsiderohet një mundësi për gazetari efikase, po aq i përball mediat dhe gazetarët me kërcënimin e integritetit të informacionit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA