Përgatiti: Arian Hajdaraj
Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut kanë dalë sërish para gjykatës.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt e mbyllur për media, sipas avokatit të viktimës, është deklaruar vetëm njëri nga dy dëshmitarët e planifikuar.
“Seanca është e tipit të mbyllur, ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti, ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje, ndërsa tjetri në mungesë të asaj s’e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, tha Tomë Gashi, avokat i familjes së Lulzim Fejzullaut.
Lidhur me seancën fare shkurt u deklarua avokati i të akuzuarit E.K.
“Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, tha Skender Musa, avokat i të akuzuarit E.K.
Sidoqoftë, xhaxhai i të viktimës u shpreh të ketë besim në punën e organeve të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, të dielën e 14 janarit, Lulzim Fejzullahu u rrah rëndë nga dy persona të moshës së mitur. 6 ditë më vonë, më 20 janar, 18-vjeçari vdiq në qendrën klinike universitare, derisa më 1 prill, Prokuroria të dyshuarit i ngarkoi me veprën penale “vrasje e rëndë”.






