Tashmë është zyrtarizuar data e rikthimit të Conor McGregor në oktagon. UFC ka bërë të ditur se ylli irlandez i MMA-së, i njohur me nofkën “Notorious”, do të përballet me Max Holloway më 11 korrik në eventin UFC 329, i cili zhvillohet në kuadër të “International Fight Week”.
Për McGregorin, kjo do të jetë rikthimi i shumëpritur pas një periudhe të gjatë mungese nga sporti. Ish-kampioni irlandez nuk ka luftuar prej pesë vitesh, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në duelin ndaj Dustin Poirier në vitin 2021.
Luftëtari që konsiderohet si një nga figurat më të mëdha dhe më me ndikim në historinë e MMA-së do të rikthehet pikërisht ndaj një rivali të njohur. McGregor dhe Holloway kanë histori të gjatë mes tyre, pasi për herë të parë u përballën në vitin 2013, në një duel që shënoi fillimin e rrugëtimit të tyre drejt majës së UFC-së.
Tani, pas më shumë se një dekade, dy legjendat do të ndajnë sërish oktagonin në një nga duelet më të shumëpritura të vitit në sportet luftarake.
Për shumë tifozë dhe analistë, kjo përballje mund të jetë edhe një nga luftërat e fundit të McGregorit në UFC, duke marrë parasysh dëmtimin serioz që pësoi vite më parë, por edhe problemet personale dhe ligjore që kanë shoqëruar karrierën e tij në vitet e fundit.
Megjithatë, rikthimi i “Notorious” pritet të sjellë interesim të jashtëzakonshëm në botën e MMA-së dhe ta kthejë edhe një herë vëmendjen globale te emri i Conor McGregor.





