Të përballesh me ndjenja të herëpashershme të ankthit është një pjesë normale e jetës, por njerëzit me çrregullime ankthi përjetojnë ankth, frikë, terror dhe panik të shpeshtë dhe të tepruar në situatat e përditshme.
Këto ndjenja janë të pashëndetshme nëse ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj dhe ju pengojnë të funksiononi normalisht.
Simptomat e zakonshme të çrregullimeve të ankthit përfshijnë:
Përjetimi i një ndjenje paniku, rreziku ose dënimi të afërt
Ndjeheni të pafuqishëm
Ndjeheni nervoz
Ju rriten rrahjet e zemrës
Mendoni në mënyrë obsesive për shkaktuesin e panikut
Djersiteni
Dridheni
Por çfarë duhet të bëni të menaxhoni ankthin? Këtu kemi listuar disa këshilla nga ekspertët.
Shmangni alkoolin dhe drogat rekreative
Këto substanca mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë ankthin. Nëse nuk mund ta lini vetë, konsultoheni me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor ose gjeni një grup mbështetës për t’ju ndihmuar.
Hani ushqime të shëndetshme
Një dietë e shëndetshme që përfshin perime, fruta, drithëra dhe peshk mund të lidhet me uljen e ankthit, por nevojiten më shumë kërkime.
Identifikoni shkaktarët
Mësoni se cilat situata ose veprime ju shkaktojnë stres ose rrisin ankthin tuaj. Praktikoni strategjitë që keni zhvilluar me profesionistin tuaj të shëndetit mendor, në mënyrë që të jeni gati të përballeni me ndjenjat e ankthit në këto situata.
Bëni palestër
Zhvilloni një rutinë në mënyrë që të jeni fizikisht aktiv në shumicën e ditëve të javës. Ushtrimi është një reduktues i fuqishëm i stresit që mund të përmirësojë disponimin tuaj dhe t’ju ndihmojë të qëndroni të shëndetshëm. Filloni ngadalë dhe gradualisht rrisni sasinë dhe intensitetin e aktiviteteve tuaja.
Bëjeni gjumin prioritet
Bëni atë që mundeni për të siguruar që po flini mjaftueshëm për t’u çlodhur. Nëse nuk jeni duke fjetur mirë, bisedoni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor.
Lëreni duhanin dhe reduktoni ose hiqni dorë nga pirja e pijeve me kafeinë.
Nikotina dhe kafeina mund të përkeqësojnë ankthin.
Socializoheni me njerëz të tjerë
Mos lejoni që shqetësimet t’ju izolojnë nga njerëzit e dashur apo aktivitetet.
Përdorni teknika të menaxhimit të stresit dhe relaksimit.
Teknikat e vizualizimit, meditimi dhe joga janë shembuj të teknikave të relaksimit që mund të lehtësojnë ankthin.
Shkruani ndjenjat në një ditar
Mbajtja e gjurmëve të jetës suaj personale mund t’ju ndihmojë ju dhe profesionistin tuaj të shëndetit mendor të identifikoni se çfarë ju shkakton stres dhe çfarë duket se ju ndihmon të ndiheni më mirë. /Telegrafi/