Përgatiti: Driton Sadiku
Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj, posaçërisht në procesin e njohjeve të reja tha të enjten në Prishtinë Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron.
Në një konferencë për media së bashku me homologen nga Kosova Donika Gërvalla, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë tuaj dhe kontributin e rëndësishëm që mund të japim për këtë. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona”, tha Cameron.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Duke shprehur falënderimin për përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar, Ministrja e jashtme Donika Gërvalla tha se e njoftoi diplomatin britanik për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit të kaluar, përfshirë këtu edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit.
“E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator. Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithë shoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, tha Gërvalla.
Cameron, me të mbërritur mbrëmë në Kosovë, zhvilloi një takim pune me kryeministrin Albin Kurti. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes të dyja shteteve janë të palëkundura, teksa falënderoi sekretarin Britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Në fund të vizitës në Kosovë, Cameron takoi edhe presidenten e vendit Vjosa Osmanin, me të cilën u tha se biseduan për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, paqen e sigurinë.





