Kombëtarja e Kosovës në boks ka mbetur pa trajner pasi Besim Brahimi ka dhënë dorëheqje. Këtë vendim Brahimi thotë se e mori për shkak se ka pasur ndërhyrje direkte nga kryetari i Federatës së Boksit Enver Krasniqi në përzgjedhjen e boksierëve për garat ndërkombëtare, por edhe për shkak të mos pagesës me pagë të rregull.
Ai ka thënë për KosovaPress ndërhyrje të tilla nuk mund t’i pranojë në punën e tij nga ana e bordit të federatës dhe se kjo ka sjellë deri në vendimin për dorëheqjen e tij.
“Presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës më është përzier në shumë gjëra, edhe në përzgjedhje. Jam kapërdirë për hatër të boksit, por janë disa gjëra që edhe nuk mundesh më të kapërdihesh dhe pak edhe jam lodhur sepse të punosh për shtatë vite pa pagë, unë e kam bërë këtë. Ne edhe si familje kemi bërë shumë edhe për shtetin e Kosovës, mirëpo jam lodhur në këtë aspekt për shkak se nuk është e drejtë një selektor të punojë pa pagë…Mëditje vetëm kur shkon në ndonjë Kampionat Evropian apo Botëror.”, tha Brahimi.
Tutje Brahimi ka thënë se kryetari i Federatës së Boksit Enver Krasniqi, ka caktuar edhe emrat e boksierëve që duhet të marrin pjesë në kampionate evropiane e botërore.
“Kishim për të shkuar në Kampionat Botëror NË Indi, që nuk na lejuan dhe u vendos që të shkojnë vetëm dy boksierë dhe vendosa që t’i dërgojë dy vëllezërit Bajoku, desha ta dërgojë edhe Patriot Behramin, këta tre sepse këta janë që kanë përvojë më të madhe, thanë jo vetëm dy, pastaj në dy ditët e fundit ma sollën një boksier tjetër që i mirë është edhe ai djalë, mirëpo nuk është më i mirë se Patriot Behrami, nuk ka eksperiencë dhe më thanë ;këtë duhet ta marrësh, bordi ka vendosur’. Thash bordi nuk mund të përzihet në punët e mia.”, deklaroi Brahimi.
Por, kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi ka mohuar të ketë pasur ndërhyrje nga ana e tij në përzgjedhjen e boksierëve, derisa ka thënë për KosovaPress se Brahimi dëshironte që vetëm boksierët e klubit të tij ta përfaqësonin Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa sa i përket pagës, Krasniqi ka thënë se bordi ka paraparë që trajnerët mund të paguhen ose të marrin mëditje vetëm nëse ka donatorë nga jashtë.
“Dëshira e tij, sa kemi vërejtur kohëve të fundit ka qenë që vetëm klubi i tij ta përfaqësojë Kosovën. Ne në bord kemi vendosur që selektori duhet të jetë selektor i të gjithë Kosovës, jo i vetëm një ekipi…Kemi ankesa prej boksierëve të klubeve të tjera që pyesin ‘pse ne jo’, kështu që duhet dhënë secilit nga një shans…Pagat me kontratë nuk kemi. Nëse kemi donatorë të jashtë, edhe në bord edhe në vendim e kemi që do t’iu japim paga apo mëditje. Derisa Ministria e Sportit mjetet që na i ndanë, i ndanë vetëm për gjërat që i parasheh ajo, ushtrime, udhëtime jashtë vendit të sportistëve dhe trajnerëve, kurse paga nuk lejon të jepen, prandaj ne nuk guxojmë t’i japim pagë atij ”, theksoi Krasniqi.
Brahimi ka paralajmëruar se në drejtim të tij dhe të boksierëve ka ardhur një ofertë nga Maqedonia e Veriut dhe se mund të marrin vendim që të largohen nga Kosova për ta përfaqësuar këtë shtet.
“Nëse ky bord, ky president nuk e bëjnë një ndryshim, ose të sjellin të ardhura ose të japin dorëheqje nga kjo punë, unë mund t’i marr sportistët dhe të shkojë për Maqedoninë të boksojë sepse na kanë ofruar pagë shumë të mirë edhe sportistëve edhe mua.”, theksoi Brahimi.
Sa i përket kësaj çështje, kryetari i Federatës së Boksit thotë se ky është një vendim i trajnerit dhe se mund të bëjë çfarë të dojë.
“Ai është vendim i tij dhe nëse mendon të shkojë, le të shkojë nuk është problem. Unë mendoj që në Kosovë ka të rinj që janë duke e ndjekur këtë rrugë të sportit dhe sporti as nuk ka filluar as atëherë në ish-Jugosllavi me Mehmet Bugujevcin dhe as nuk do të mbarojë me Besim Brahimin”, ka thënë Krasniqi.
Pas këtyre zhvillimeve, Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti Bordi i Federatës së Boksit do të mblidhet për të emëruar trajnerin e ri të Kosovës.