Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, parti kjo në pushtet, për të bojkotuar disa nga televizionet më të mëdha në vend.
AGK në reagimin e saj, ka bërë të ditur se është e shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për zgjedhje, dhe ka ftuar VV-në që ta rishqyrtojë pozicionin e saj.
Po ashtu, nga AGK është thënë se vendimi i VV-së për bojkot është kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.
‘‘AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele.” Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë’’, thuhet mes tjerash nga AGK.
Postimi i plotë:
AGK-ja kundër bojkotit të Vetëvendosjes ndaj mediave, e fton ta rishqyrtojë pozicionin e saj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është i shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit.
Paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.
E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë.
Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele.” Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë.