Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, është në mesin e mbi 330 qytetarëve kosovarë të ndaluar nga autoritetet në Serbi.
Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe Jankoviq, zyrtar i lartë policor nga komuniteti serb.
Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, sipas tij, “po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.
“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”, ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X”.
Sipas tij, kjo është një shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis BB6 dhe një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet.
Little Putin in Belgrade cannot handle Kosova's success. After yesterday's successful vote at PACE he has launched massive arrests at border crossings, detaining hundreds of Kosova citizens, including the deputy director of the Kosova Police, Dejan Janković (who is from the Serb…
— Jeton Zulfaj (@JetonZulfaj) April 17, 2024
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i bëri sot thirrje Serbisë që të ndalojë “së turpëruari veten” dhe duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes së të gjithëve.
“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë ta lërë Kosovën të kalojnë kufirin e Batrovcit, Serbi- Hungari për mbajtësit e ID/pasaportës! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, tha Von Cramon.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.