Bislimi në Bruksel: Nuk diskutuam për Asociacionin, pa nënshkrim s’nis zbatimi

Përgatiti: Fatlum Jashari

Pa takim trepalësh është mbyllur rundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm, Miroslav Lajçak.

Në Bruksel, emisari Lajçak takoi ndaras kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Edhe pse diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte pikë në rend dite, zëvendëskryeministri për dialog tha se diçka e tillë nuk ndodhi, teksa përsëriti çështjen e nënshkrimit.

“Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar. Drafti që i është sjellë Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por, a është në harmoni të plotë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanci që kemi marrëveshje valide, e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, tha Bislimi.

Krahas diskutimit për të pagjeturit, ai njoftoi për lëvizje lidhur me bllokadën në zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë.

“Kemi diskutuar për çështjen e energjisë. Lajcaku mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm dy-tri propozim-ndryshime të vogla në marrëveshjen për nën-kontraktim mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ne do të japim komentet tona. Java e ardhshme do të jetë e fundit kur duhet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojë zbatimi”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, në anën tjetër, tha se me emisarin e BE-së diskutoi për draft-statutin e Asociacionit.

“Ekspertët tanë kanë folur në mënyrë shumë të argumentuar dhe të qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit, në radhë të parë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, si dhe faktin që Asociacioni të financohet nga Beogradi”, tha Petkoviq.

Zëvendëskryeministri tha se në takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së u diskutua edhe për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai shprehu gatishmërinë për akomodimin e kërkesës së BE-së për përmirësime, në formularin për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA