Përgatiti: Armand Hoti
Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen do të jenë të lidhura edhe përmes binarëve.
“Tashmë kanë filluar punimet në studimin e fizibilitetit dhe projektit ideor”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Në janar, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se dy shtetet janë pajtuar për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidh Prishtinën me Durrësin.
Por, pikëpyetja e vetme mbetet financimi për ndërtimin e saj.
“Po shpresojmë se gjatë këtij viti do të përfundojë studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor, në momentin kur të përfundojë, dihet saktë linja nga do të kalojë traseja e hekurudhës, dihet saktë tunelet ku do të jenë, pra do të kemi një kosto pak më të detajuar se sa do të kushtojë ky projekt në mënyrë që ose të aplikojmë për fonde nga BE-ja ose të merremi vesh e ta financojmë vetë”, tha Durmishi.
Geri Selenica, nga Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike e përjashton mundësinë e financimit nga Bashkimi Evropian përmes granteve.
“Nëse do të aplikojnë për fonde në Bashkimin Evropian, kjo hekurudhë nuk është në asnjë nga korridoret evropiane, kështu që nuk ke mundësi të marrësh, financime merr me garanci sovrane, por nuk merr dot grante. Procesi i granteve është një proces i gjatë në fillim, do të futesh në korridoret ndihmëse më pastaj në ato kryesore”, tha Selenica.
Selenica, i cili është i angazhuar në lobim për gjetjen e një forme më të shpejtë të financimit, ka një propozim.
“Neve po e modelojmë në këtë versionin, në mënyrë që kontraktori ta gjejë financimin më shpejt se Qeveria, sepse Qeveria për ta gjetur financimin duhet të kalojë në tenderime ndërkombëtare, vonohet. Pastaj, do të kalojnë në tenderime ndërtimi të cilët nga eksperienca e këtij studimi e pamë që dy qeveritë mezi u morën vesh për të ndarë dy milionë euro, jo për të dhënë një miliard euro”, tha Selenica.
Sipas llogaritjeve të Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike, projekti për konstruktimin e hekurudhës pritet të ketë kosto prej një miliard eurosh.
Referuar të dhënave të kësaj qendre, hekurudha do të ketë një numër të madh tunelesh me gjatësi totale prej më shumë se 20 kilometrash, kurse ura 6 kilometra.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






