Përgatiti: Haris Ademi
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po vlerëson se Gjykata Kushtetuese është duke devijuar prej misionit të vet. Sipas tij, organi më i lartë kushtetues në disa raste po përzihet në punët e Qeverisë, në disa prej nismave ligjore.
Këtë reagim, Bislimi e tha të mërkurën, kur u paralajmërua prej Partisë Demokratike se do t’i drejtohet kësaj gjykate, lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, nëse Qeveria nuk kërkon mendim për të, nga Komisioni i Venecias.
“Ne këtë ligj do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti i PDK-së, Isak Shabani.
Prandaj Bislimi propozon që, për kompetenca shtesë, Kushtetuesja të garojë në zgjedhje.
“Duhet me u bë qeveri njëherë, me dalë me kërku vota si Gjykatë Kushtetuese, tani me dalë me caktu…”, tha Bislimi.
Numri dy i qeverisë thotë se projektligji për KPM-në u është përshtatur direktivave të Bashkimit Evropian.
“Është e qartë që duhet të krijohen rregulla që sigurojnë konkurrueshmëri, që mbrojnë të miturit dhe të rinjtë, menaxhim të standardizuar, transparencë të pronësisë, databazë të medias që operojnë në treg”, tha Bislimi.
Ndryshe mendon Besnik Tahiri, që përmend akuzat për tentim të kapjes së mediave nga qeveria.
“Këshilli i Mediave të shkruara dhe AGK-ja po akuzojnë se shteti është duke i marrë nën kontroll mediat online…”, tha Tahiri.
Pavarësisht kundërshtimeve, anëtarët e pushtetit në komision arritën ta miratojnë projektligjin me gjashtë vota pro.





