Besimi në media

Nga Leart Hoxha

Që nga qershori, kur institucionet, qytetarët dhe mediat përgatiten të shkojnë në pushime, janë nja 5 tema që e kanë dominuar hapësirën mediale, por edhe kanë treguar se në çfarë situate jemi si shoqëri.

Tema e madhe e qershorit ka qenë Euro 2024. Për mediat tona është mundësi që idiotët e tiktokut, reality show-eve dhe profileve yjeve tjera të rrjeteve sociale të u bëhen analistë të futbollit, duke ofenduar inteligjencën e secilit adhurues e njohës e ish lojtar të këtij sporti.

KOMPILACION I BUDALLËVE DUKE FOLUR PËR FUTBOLL

Më pas e patëm një incident në një debat, që tregoi se epoka e debateve, çfarë kanë nisë para 10 vjetëve ka përfunduar.

GANI GECI vs. ARBEN AHMETI

Temë tjetër e mediave ka qenë Faton Hajrizi, temë tjetër e mediave ka qenë publikimi i një lajmi të rrejshëm dhe palidhje në RTK me qëllim të sulmit ndaj dy portaleve tjera kosovare dhe kuptohet Ura në Mitrovicë.

Nëse edhe një herë iu kthehemi këtyre temave, e shohim një gjë – asnjëra nuk ka epilog, ose ndryshim të prekshëm në terren dhe asnjëra nuk ia bën jetën më të mirë ose më të lehtë kosovarit mesatar.

Mirëpo, të gjitha këto, në mënyrën se si opinioni më to është marrë – e kanë shkaktuar një efekt – humbjen e besimit në media.

Realisht problemi nuk është të nëna e Arben Ahmetit, asnjëherë s’ka qenë as te nëna e Arbenit, as te nëna e kujtdo që paraqitet në studio televizive në Kosovë.

Fundja Arbeni e Gani Geci kërkuan falje për eskalimin dhe ajo kërkim falje duhet tu pranohet, sepse nuk është problemi te ta.

Debatet janë bërë më të dhunshme, sepse televizionet janë bërë më të dhunshme, shoqëria është bërë më e dhunshme, më shumë vrasim gra, më vdesim në trafik duke vozitur pakujdesshëm dhe kuptohet më shumë ka kriminelë në media dhe kjo bën që dhuna të duket më normale.

Rasti i Faton Hajrizi e dëshmon këtë shumë mirë. Fatoni ka qenë super yll medial në Kosovë edhe para se të vritej, e posaçërisht në periudhën që nga arratisja, deri kur u vra.

Ai ka qenë i pranishëm në emisione televizive, ka qenë shumë i pranishëm në rrjete sociale dhe më pas u bë edhe temë politike.

Në fakt, për këtë emision e kam bërë veç një krahasim të thjeshtë për të parë popullaritetin e tij në Youtube. Në periudhën e verës Faton Hajrizi i shkelë me popullaritet edhe Dafina Zeqirin edhe Albin Kurtin edhe Lojërat Olimpike edhe krejt tjerët.

Kuptohet, popullariteti në youtube është një gjë, ndikimi politik është një gjë tjetër dhe shumë më brengosëse. Tentimet për heroizim të tij, prania e politikanëve dhe policëve në varrim e në të pame dhe tentimet e disa mediave që ta shfajësojnë atë e ta fajësojnë shtetin, tregojnë që diçka në diskurs publik ka degraduar ndërkohë.

Kriminelët janë yje mediale në Serbi, Bullgari dhe deri diku në Shqipëri. Në vendet tjera edhe mund të kenë fuqi të madhe, edhe mund të mbajnë në xhep politikanë e gazetarë, kriminelet nuk heroizohen dhe krimi nuk normalizohet. Kosova është kah e kopjon fëlliqtë Serbinë në këtë trend dhe pasojat mund të jenë më të mëdha se në Serbi.

Eh RTK-ja është tjetër çka. Kushdo që ka memorie me kapacitet më të madh se një floppy disk, e mban në mend që RTK poston lajme të rrejshme, ose ka standarde të ulëta të punës. Kujtojmë se sivjet shënohet përvjetori jubilar, 20 vjetori i këtij alamet raportimi televiziv nga RTK-ja

Kujtojmë që ky raportim është tre muaj pas trazirave të marsit të 2004-ës, për të cilat ka hulumtime të OSBE-së, që pohojnë se RTK ka raportuar në mënyrë joprofesionale. Transmetimi i lajmeve të me burime të dyshimta, me tone tendencioze dhe me pasoja të rënda për Kosovën është diçka që RTK e ka bërë edhe më herët.

E njëjta RTK një herë i kishte ndërprerë lajme qendrore për të transmetuar Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës kur PDK ka qenë në pushtet, kurse më herët këtë vit raportoi për organizimin e një atentati ndaj Albin Kurtit në Shkup. Ky raportim nuk u verifikua nga askush tjetër përpos RTK-së dhe do burimeve të saj, kurse lista e materialeve jokorrekte, ose palidhje që i ka transmetuar RTK-ja është shumë e gjatë.

Sado që pushteti mendon që artikulli palidhje i Slobodna Bosnës duhet të merret seriozisht, e përnjëmend mendon kështu, imazhi i RTK-së është për toke edhe ky është problem më i madh sesa Buzhala e Mirena dhe krejt të tjerët.

Për më keq, debatet ndërmjet përfaqësuesve të politikës dhe atyre të mediave rreth Ligjit për KPM-në treguan se as politikanët dhe as gazetarët nuk duan më shumë pavarësi të mediave dhe më shumë profesionalizëm.

Tentimet e politikës për të kontrolluar mediat nuk janë asgjë e re, por rënia e besimit në media nuk ndodhë vetëm për shkak të sulmeve të politikës.

Klan Kosova ka qenë në shënjestër të autoriteteve për shkak të shkeljeve të pretenduara në procedurat e regjistrimit të kompanisë. ART Motion ka transmetuar mesazhe përshëndetëse për Milan Radojicicin dhe at që serbët i konsiderojnë si të rënë heroikisht në Banjskë.

Kuptohet që organizatat vendore dhe ndërkombëtare knë reaguar ndaj veprimeve të pushtetit që i kanë cilësuar si arbitrare dhe shumë kolegë gazetarë janë solidarizuar me Klan Kosovën.

Nëse Klan Kosova është biznis serb që operon në Kosovë, apo biznis i disa pronarëve që e shohin ‘Kosovën është Serbi’, nuk konstatohet nga pushteti, por nga organet e pavarura që ky shtet i ka dhe këto media luftojnë që ato të ruhen.

Mirëpo, nëse Klan Kosova e Dukagjini transmetojnë intervista me këtë far talentin… e nëse ATV-ja e krejt mediat tjera e transmetojmë atë talentin tjetër kah pohon se vajguri shëron kancerin…

Atëherë problemi është që mediat, duke transmetuar lajme të rrejshme dhe përmbajtje që nuk i beson askush, e dëmtojnë veten. Humbja e besimit në media dhe ulja e standardeve të punës mediale, është hapi i parë drejt shkatërrimit të demokracisë. Kur media nuk raporton të vërtetën, atëherë e vërteta kërkohet në dy adresa – në politikë ose në kler. Secila është më e rrezikshme se tjetra dhe asnjërës nuk i konvenon mendimi kritik ose çfarëdo mendimi ndryshe prej atij të shefit ose babës!

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA