Presidenti i Besa Famgas, Enis Idrizi, ka reaguar publikisht pas humbjes së ekipit të tij ndaj Kastriotit në finalen e Kupës së Kosovës në hendboll, duke shprehur pakënaqësi të madhe ndaj gjykimit dhe delegimit të arbitrave.
Idrizi theksoi se organizimi i finales ishte në nivel, por ajo që ndodhi në fushë, sipas tij, nuk kishte lidhje me sportin. Ai akuzoi drejtpërdrejt gjyqtarët për vendime të padrejta që, sipas tij, ndikuan në rezultatin përfundimtar.
“Po ajo që ndodhi në fushë sonte nuk ka lidhje me sport. Nga delegimi deri te referimi – kjo është turp për hendbollin në Kosovë. Vendime në momentet kyçe, pa asnjë standard, pa asnjë konsistencë, që e kanë ndryshuar drejtpërdrejt rrjedhën e lojës”, thuhet në reagimin e tij.
Ai shtoi se një situatë e tillë është e papranueshme për një klub me historinë e Besa Famgas, duke e cilësuar këtë jo vetëm si një humbje finaleje, por si dëmtim të hapur të garës.
Idrizi kërkoi përgjigje të qarta nga organet përkatëse lidhur me mënyrën e delegimit të gjyqtarëve dhe pse, sipas tij, nuk janë angazhuar arbitrat më të mirë të mundshëm për një ndeshje të tillë.
“Duhet të jepen përgjigje të qarta: si u bë delegimi? Kush e mori këtë vendim? Pse nuk u angazhua niveli më i lartë i mundshëm?”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai kërkoi reagim konkret nga Federata e Hendbollit të Kosovës, duke theksuar se heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi.
Kujtojmë që Besa Famgas humbi në finale të Kupës së Kosovës në hendboll ndaj Kastriotit 28:27,ku pati një numër të madh të shikuesve në palestrëm “Bill Clinton”në Ferizaj






