BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

Bashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë Josep Borrell në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe kujton se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë, më 14 shtator në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët ranë dakord më herët këtë vit, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.

Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, nëpërmjet një deklarata thekson se BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.

“Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupa të KFOR-it, forca të rendit dhe përfaqësues të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, kërkesat për zhvendosje, telekomunikacionin, dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të sapo rekrutuar/popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit të Energjisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut. Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.

BE nëpërmjet kësaj deklarate u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA