Përgatiti: Armand Hoti
Së pari, përzgjidhet ndeshja. Më pas kuota më e përshtatshme.
Krejt në fund, caktohet vlera e pagesës dhe vendoset basti.
Në këtë formë online, po ushtrohet aktiviteti i bastoreve dhe lojërave tjera të fatit, që nga 2019-ta, kur në Kosovë u ndalua kjo industri.
Gjatë vitit të kaluar, policia thotë se i evidentoi 42 raste, të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të jashtëligjshëm. Kurse në tre muajt e parë të këtij viti, u evidentuan edhe 12 raste të tjera.
“Vetëm numri i rasteve për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 i KPRK-së, për periudhën kohore 2023-2024-tremujori i parë, të cilat janë nxjerrë nga SIPK: 2023 – 42 raste, TM1 2024 – 12 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Policia nuk sqaron nëse po i referohet ndonjë rasti të organizimit të basteve online.
Sociologu Vehbi Mujku thotë se lojërat e fatit nuk sjellin dobi.
“Përveç problemeve familjare, ku ka pasur dhunë në familje, ku ka pasur probleme me fëmijë, ka pasur edhe persona të cilët kanë humbur shtëpi, lokale, troje, banesa, janë futur në fajde, në kredi, vetëm për t’i mbuluar këto shpenzime”, tha Mujku.
Gjatë 2017-ës dhe 2018-ës, Administrata Tatimore e Kosovës gjeneroi mbi 1.6 milion euro nga tatimet e bizneseve të lojërave të fatit.
Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se tash, shteti nuk fiton asgjë nga kjo fushë, edhe pse po përdoren mënyrat alternative për të luajtur.
“Çdo aktivitet biznesor që nuk është i rregulluar me ligj, do të thotë se ka vjelje të tatimit dhe kjo është një humbje, sidomos në këtë biznesin e lojërave të fatit, është një qarkullim jashtëzakonisht i lartë, dhe ka miliona që janë në humbje besoj nga ky biznes”, tha Qerimi.
Meqë nuk ekziston mundësia të ndalohen plotësisht, Qerimi propozon që të kthehet ligjshmëria e lojërave të fatit në Kosovë, mirëpo me kritere më të ashpra.
“Për mendimin tim, fillimisht ne duhet ta ndryshojmë ligjin dhe t’i lejojmë këto biznese të operojnë edhe në aspektin fizik. Shteti duhet ta rrisë kontrollin në këto pika biznesore”, tha Qerimi.
Në vitin 2019, në dy kazino të ndryshme, brenda një jave u vranë dy persona.
Kjo nxiti Kuvendin e Kosovës, ta miratojë ligjin që ndalon lojërat e fatit, në mbarë territorin e vendit.
Mirëpo, kjo bëri që të shtohen bizneset e këtij lloji në shtetet fqinje, në afërsi të kufijve me Kosovën.