Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë. Ata, përmes një aksioni simbolik, kanë hedhur telefona pranë kësaj baze.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se këto aksione të ZPS-së ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së po ndodhin siç e quan ai, në frymën e Qeverisë së Kosovës.
Ndaj deklaratave të Molliqajt, ka reaguar avokati Tomë Gashi, i cili në një intervistë ne emisionin A LIVE në ATV, tha se një qeveri ka faj që udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në Hagë, dhe kjo qeveri, sipas Gashit, është ajo e vitit 2015 dhe jo e tanishmja.
“Një qeveri ka faj, definitivisht edhe ka faj shumë, edhe për shkak të asaj qeverie, i kemi udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në burg, në Hagë, për më tepër se tri vite dhe besoj që ajo qeveri dihet fare lehtë se kush ka qenë, ka qenë qeveria e vitit 2015 dhe jo qeveria e tanishme dhe në vitin 2015, secili mundet fare lehtë ta dinë se kush ka qenë në pushtet. Kushdo që ka qenë në pushtet, ne e dimë, ata e dinë, edhe protestuesit, edhe politikanët, edhe secili e din kush ka qenë në pushtet para tetë viteve, por nuk ka qenë Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka qenë Albin Kurti kryeministër. Në atë kohë Vetëvendosja ka qenë në opozitë dhe kushdo që e mban mend, nëse nuk e mban mend, Google ia përkujton, fare lehtë mund ta gjen edhe në Youtube që Lëvizja Vetëvendosje në momentin kur është votu Gjykata Speciale, saktësisht me 3 gusht vitit 2015, kanë dalë krejtësisht nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, edhe në mënyrë demonstrative e kanë lëshuar Parlamentin e Republikës së Kosovës, sepse kanë qenë gjithmonë kundër Gjykatës Speciale, kanë qenë, janë dhe do të jenë kundër Gjykatës Speciale”, tha Gashi.
Ai tha se tani, detyra e Qeverisë së Kosovës mund të jetë që përmes institucioneve përkatëse të përcjellë shkeljet e të drejtave të njeriut në procesin e gjykimit në Hagë.
“Momentin kur ratifikohet një marrëveshje e tillë, kur e delegon sovranitetin juridik nga Kosova në një shtet tjetër, që në këtë rast është Holanda, saktësisht qyteti i Hagës, atëherë Qeveria e tanishme që është e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka fare se çfarë të bëjë. Detyra e Qeverisë është, përmes institucioneve përkatëse të përcjellë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe besoj që duhet të reagohet në raste të caktuara, siç ka reaguar edhe vetë kryetari i Parlamentit të Kosovës, zoti Konjufca, i cili ka qenë në vizitë atje dhe ka pasur reagim, do të thotë për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Gashi. /atvlive.tv





