FC Barcelona po përgatit planin e saj për afatin e ardhshëm të transferimeve verore, me synimin kryesor për të përforcuar repartin ofensiv me një sulmues të nivelit të lartë.
Sipas raportimeve, klubi katalanas po shqyrton një investim të madh që mund të arrijë deri në 100 milionë euro, në një kohë kur stabiliteti në finalizim ka qenë problem në disa ndeshje të sezonit.
Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm po fiton edhe Lamine Yamal, i cili shihet si një nga talentet kryesore të projektit të Barcelonës dhe që ka gjithnjë e më shumë ndikim në ideologjinë e skuadrës.
Talenti i ri raportohet se preferon një sulmues tipik “9”, dhe emri që i pëlqen më shumë është ai i Victor Osimhen, aktualisht i lidhur me Galatasaray.
Osimhen vlerësohet për forcën fizike, shpejtësinë dhe instinktin e tij të golit, duke u konsideruar një profil ideal për të plotësuar lojtarë si Yamal, i cili shkëlqen në krijimin e rasteve nga krahët.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar, pasi kartoni i sulmuesit nigerian vlerësohet shumë i lartë dhe mund të arrijë ose të kalojë shifrën prej 100 milionë eurosh, çka e bën transferimin një operacion të vështirë për klubin katalanas.






