Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore të madhe ndaj kampionëve të 12-fishtë bullgar Ludogorets me rezultat 2:0, në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve, duke kryer gjysmën e punë për rrugëtimin tutje drejt garës më prestigjioze evropiane.
Ballkani në fakt ishte skuadra më e mirë gjatë tërë takimit, duke u treguar e rrezikshme qysh në minutat e para, ndërsa skuadra e cila konsiderohej favorite, madje në pjesën e parë nuk rrezikoi asnjëherë portën e Enea Koliçit.
Minuta e 20-të ishte kur gjithçka mori në dorë skuadra e Ilir Dajës, që me anë të një goditje të Nazmi Gripshit u rrezikua porta kundërshtare shumë seriozisht.
Por goli i parë i takimit erdhi vetëm në fund të pjesës së parë. Zhvilloheshin minutat shtesë, kur pas një tollovie, topi shkoi te mesfushori nga Rahoveci, Meriton Korenica, që me një goditje të bukur kaloi Ballkanin në epërsi 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.
‘Xhebrailat’ edhe në pjesën e dytë vazhduan me lojën ofensive, duke qenë dukshëm skuadra më kërkuese dhe kjo u shpërblye.
Po zhvillohej minuta e 55-të, kur pas një ndërprerje, mbrojtësi anësor, Lorenc Trashi harkoi bukur në zonë, ku edhe më mirë reagoi mesfushori Qëndrim Zyba, i cili shënoi nga afërsia me kokë, për rezultatin 2:0.
Deri në fund, dy skuadrat arritën të krijonin disa raste, por gola më në takim nuk pati dhe Ballkani doli fitues 2:0 ndaj Ludogorets.
Ndeshja e kthimit dhe përcaktuese për skuadrën që kualifikohet në rrethin e dytë do të zhvillohet pas një jave në Bullgari.