0.8 C
Pristina
E premte, 15 Nëntor, 2024

Avokati i Ridvan Muharremit: Gjithçka do të sqarohet

Mëngjesin e së premtes restoranti “Bukë e zemër” në pronësi të Ridvan Muharremit si dhe banesa e këtij të fundit është bastisur me urdhër të Prokurorisë Speciale në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në fund të aksionit, është arrestuar edhe vet Muharremi.

Pas përfundimit të aksionit, ka folur avokati i Muharremit, Mahmut Halimi, i cili tha se nuk ka pasur urdhërarrest për klientin e tij por vetëm urdhër për bastisje. Sipas tij, nuk dihet për çka janë bërë bastisjet por “me siguri” në lidhje me raportimet e mediave për përfshirjen e Muharremit në atë që njihet si “afera e vajit dhe e grurit”.

“Urdhërarrest nuk ka, ka urdhër për bastisje. Ende nuk ka urdhër të arrestit. Tash klientin e kanë dërguar në Prokurorinë Speciale e më pas vendoset se cili do të jetë epilogu dhe statusi i tij… Ende nuk kemi as dyshime, me siguri se është fjala për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe të vajit, gjegjësisht zejtinit. Për ato do të japim sqarime atje, provat janë të gjithë. Gjithçka do të sqarohet”, tha Halimi.

Halimi nuk ka pranuar të flas në lidhje me implikimet e mundshme të klientit të tij në transaksionet për vaj dhe grurë por është shprehur se do t’i bëjnë të gjitha publike në momentin kur të përfundojë deklarimi në Prokurorinë Speciale.

Ai ka shprehur shqetësimet edhe në lidhje me rrjedhën e informatave për bastisjen.

“Jam i shqetësuar nuk po di nga po vijnë informatat, qysh mbrëmë në ora 23:10 minuta disa persona kanë paralajmëruar prezencën e organeve të hetimeve në shtëpinë e z. Muharremi. Në ora 23:15 minuta mbrëmë qytetari po merr vesh më herët, ose dikush i portaleve, ka kontakte direkte me organin e ndjekjes, me prokurorinë, me policinë, po i merr informatat nga të gjitha dhe po del me lajm para se të ndodhë ngjarja. Kjo nuk guxon me ndodhë”, tha Halimi.

Halimi nuk zbuloi se çfarë kanë sekuestruar hetuesit por tha se morën gjithçka të cilat mendojnë se iu shërbejnë për procedurë nga restoranti dhe banesa.

“Si e ka pritur klienti im lajmin për bastisjen? Plotësisht normal, fare i pa shqetësuar për shkak se është fakt se edhe z. Muharremi dhe familjen e tij, them lirisht, shpifjet e tilla e kanë tronditur jashtëzakonisht shumë. Mirëpo i kam miq të shtëpisë, miq të vjetër, i njoh mirë, dhe tanë kohen kemi qenë në koordinim kështu që në një moment kur është kërkuar në Tribunalin e Hagës nga ana e avokatit z. Thaçi unë e kam lejuar, me lejen time, e ka përpiluar një reagim dhe ka dal në opinion para tri ditëve… dhe kemi kërkuar i vetmi organ ku duhet t’i paraqesim provat, faktet dhe të dëshmojmë se bëhet fjalë vetëm për shpifje dhe asgjë tjetër është organi i ndjekjes, prokuroria dhe gjykata, ai është vendi”, tha Halimi.

Halimi ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ndue Gjinajt, personit i cili deklaroi publikisht se Ridvan Muharremi i kishte kërkuar të gjente disa dëshmitarë të fesë katolike për të dëshmuar kundër ish-presidentit Hashim Thaçi pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo deklaratë ishte ngritur edhe nga avokati i Thaçit në seancë gjyqësore gjatë kësaj jave. /KP/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA