Avokati i Popullit ka vërejtje rreth procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës

Përgatiti: Nora Luta

Nuk është vetëm afati i kufizuar për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale, që është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi nga Avokati i Popullit.

Ky institucion ka pranuar ankesa dhe ka gjetur vërejtje në procesin e realizimit të intervistimit të viktimave dhe qasjes së Komisionit ndaj tyre.

Sipas raportit të publikuar nga Avokati i Popullit, të mbijetuarat kanë ngritur shqetësime për cenim të privatësisë dhe zbulim të identitetit.

“Përkatësisht për mundësinë e takimit të të mbijetuarave/mbijetuarve me njëra/njëri tjetrën/in, gjatë pritjes për intervistim. Janë ngritur shqetësime se palët po ballafaqohen me njëra-tjetrën, fakt ky që sipas ankesave, po cenon privatësinë dhe zbulimin e identitetit. Shqetësime janë ngritur edhe rreth mënyrës se qasjes dhe parashtrimit të pyetjeve në procesin e intervistimit dhe përshtatshmërisë së pyetjeve të parashtruara nga Komisioni drejtuar të mbijetuarave/ve”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Raporti ka identifikuar edhe mangësi në qasjen fizike në objektin e Komisionit, dhe zbrazëtirat ligjore në rregullore që përcakton kohën e verifikimit të një të mbijetuare.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka dhënë vërejtje duke konstatuar se viktimat, ndonëse parashihet me rregullore, nuk janë pajisur me kartela që do t’u mundësonin shërbime shëndetësore falas.

“Avokati i Popullit gjatë trajtimit të çështjes ka evidentuar se objekti ku gjenden zyrat e Komisionit dhe ku edhe intervistimi i palëve realizohet, nuk ofron qasje fizike dhe infrastrukturore të përshtatshme në objekt për personat me aftësi te kufizuar, apo për personat e shtyrë në moshë, të cilët mund të jenë palë në procedurën e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Kjo cenon parimin e trajtimit të barabartë dhe pa diskriminim”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

Nga Komisioni nuk kanë pranuar të komentojnë raportin, i cili i është dërguar me rekomandime edhe kryeministrit, e disa ministrave të kabinetit qeveritar, dhe Këshillit Gjyqësor.

Sipas të dhënave të këtij komisioni, në gjashtë vjetët e fundit, rreth 2 mijë persona kanë aplikuar, prej tyre 1600 iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

Ndërkohë, Avokati i Popullit ka theksuar se viktimat duhet të kenë mundësi që të aplikojnë kurdo që krijohen rrethanat për ta, e jo të ketë afat të kufizuar, që aktualisht është vetëm deri në vitin 2025.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA