Avokati Arbër Jashari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një nga gjërat më pozitive që ka ndodhur në këto zgjedhje është transparenca më e madhe në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, duke shmangur ndikimin e komisionerëve në këtë proces.
Sipas tij, më parë rezultati i kandidatëve për deputetë ishte varur nga vendimet e komisionerëve, të cilët kishin mundësi të manipulonin votat për t’iu përshtatur interesave të partisë.
“Më parë, fati i deputetëve ose i të zgjedhurve të popullit është varur shumë nga dora e komisionerëve, të cilët pastaj i regjistronin në formularë. Kjo krijonte vetëm teorikisht besueshmëri, por në realitet mund të kishte manipulime. Me kamerat e vendosura tani, nuk ka më mundësi për manipulime të tilla,” tha Jashari.
Ai tha se tashmë secili kandidat e di saktësisht sa vota ka marrë, pa ndërhyrje nga partia apo komisionerët, gjë që rrit ndjeshëm ndershmërinë e procesit zgjedhor.
“Tani, secili kandidat e ka mundësinë të jetë deputet vetëm mbi bazën e votave që ka marrë. Nuk ka më situata ku një parti i jep avantazh një kandidati duke i zhvendosur vota qëllimisht. Kjo është një prej gjërave më të mira që ka ndodhur në këto zgjedhje”, u shpreh Jashari.
Deklaratën e plotë të Arbër Jasharit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: