Autoritetet turke kanë arrestuar avokatin e rivalit kryesor politik të presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, Ekrem Imamoglu, ka njoftuar të premten një deputet nga radhët e partisë më të madhe opozitare, CHP.
Mehmet Pehlivan, avokati që e ka mbrojtur kryetarin e bashkisë së Stambollit, në hetimet e fundit, është arrestuar mbi “akuza të fabrikuara”, ka shkruar deputeti i CHP-së, Taskin Ozer, në rrjetin social X pa dhënë detaje të tjera.
Imamoglu, u arrestua të mërkurën e javës së kaluar nën akuzat për korrupsion dhe lidhje me organizata terroriste. Arrestimi i tij ka nxitur protesta masive anti-qeveritare në mbarë vendin. Si rezultat i protestave janë arrestuar me mijëra persona.
E kundër arrestimit të avokatit, ka reaguar edhe vetë Imamoglu i cili përmes një postimi në X ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Si të mos mjaftonte grusht-shteti kundër demokracisë, ata nuk mund ta durojnë faktin që viktimat e këtij grusht-shteti po mundohen të mbrohen”, ka thënë Imamoglu.