Përgatiti: Haris Ademi
Ka kaluar një muaj e gjysmë prej kur qeveria vendosi që Agjencia Kadastrale t’i regjistrojë 24 hektarë pronë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por, brenda kësaj periudhe, ATV-ja mëson se institucionet e shtetit nuk kanë bërë asnjë hap që ky objekt ortodoks të mos jetë në listën e monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, të organizatës “Europa Nostra”.
Kjo e fundit, më 2021 e listoi Manastirin e Deçanit në Programin e 7 Monumenteve më të rrezikuara në Evropë, ndërsa një nga arsyet kryesore kishte qenë moszbatimi i vendimit të Kushtetueses.
“Europa Nostra” nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke e rishqyrtuar rrezikshmërinë e manastirit, pavarësisht disa tentimeve të televizionit, që nga muaji mars.
Përgjigje zyrtare nuk ktheu as Ministria e Kulturës në Prishtinë, që kishte qenë e zëshme kundër vendimit të organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në kontinent. Madje, as presidenca, meqë më 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin dërguar letër shqetësuese ndaj listës.
Historiani Shkodran Imeraj vlerëson se institucionet do të duhej të ishin më aktive për ta bindur Europa Nostran, sidomos pas zhvillimeve të fundit.
“Tashmë janë larguar edhe rreziqet juridike, përkundër që nuk ka pasur asnjëherë rreziqe faktike për Manastirin e Deçanit… Qeveria do të duhej të kërkonte heqjen…”, tha Imeraj.
Në anën tjetër, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, tha për ATV-në se vendime si kjo e Europa Nostras, nuk kanë pasur motive politike. Ndërsa, përmend edhe listën e UNESCO-s, ku po ashtu përfshihet monumenti i udhëhequr nga klerikët serbë.
“Manastiri i Deçanit ka mbetur në listën e UNESCO-s të vendeve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, që nga viti 2005. Duke marrë parasysh vitet e trazuara të pasluftës në Kosovë dhe situatën e paqëndrueshme politike, ka shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Unë besoj fuqishëm se situata do të bëhet më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, do ta respektojnë trashëgiminë kulturore të të gjitha grupeve, pasi ajo përbën thesarin e gjithë neve”, tha Janjiq.
Në korrik të 2022-ës, një ekip i Europa Nostras qëndroi në Kosovë, ku vizitoi edhe Manastirin e Deçanit. Më pas nxori komunikatë duke thënë se shqetësimet e përmendura në Programin e 2021-ës qëndrojnë ende.
Përveç çështjes së pronave, përmenden edhe planet për rrugën Deçan-Plavë skaj manastirit, si Zonë e Veçantë e Mbrojtur, nevojat për ruajtjen e objektit 24/7 nga ana e KFOR-it, si dhe përpjekjet për ta rishikuar identitetin kulturor e historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, nëse u përket shqiptarëve apo serbëve.
Kur doli lista e re me 7 monumentet e rrezikuara, vitin e kaluar, kjo organizatë kishte konfirmuar se është duke e monitoruar vazhdimisht situatën me Manastirin e Deçanit. Prandaj mbetet të shihet nëse regjistrimi i pronave do të mjaftojë për ta ndryshuar opinionin lidhur me këtë temë.