Asnjë incident në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri

Në përcjelljen e Policisë, kandidatja e vetme për kryetare të Zveçanit nga komuniteti serb, Sladjana Pantovic, u paraqit në vendvotim.

Pasi hodhi votën e saj, Pantovic tha se shpreson në më shumë siguri për qytetarët e katër komunave në veri.

“Pres për qytetarët e Zveçanit se do të jetë më mirë se sa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha Pantovic.

Ndërhyrja e Policisë nuk ishte e nevojshme në asnjë moment – pasi procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok vijoi pa incidente.

Megjithatë, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit që u parapri me djegie veturash, Policia shtoi prezencën në afërsi të qendrave të votimit me njësitë e zakonshme patrulluese dhe të trafikut – pa angazhimin e specialëve.

“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”, thotë Policia.

Pos qendrave të votimit, njësi statike e patrulluese u panë edhe rrugëve përgjatë kryesore.

Në gjendje gatishmërie ishte edhe Prokuroria.

“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyr për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Gjithashtu, në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarët kujdestarë të cilët janë në gatishmëri për çdo eventualitet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Në afërsi të vendvotimeve u panë edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA