Përgatiti: Driton Sadiku
Agjencia e statistikave të Kosovës, as këtë herë nuk publikoi të dhëna rreth papunësisë në vend.
Megjithëse raporti përfundimtar shpalosi të dhëna mbi shumëçka, papunësia nuk u përmend askund në raportin 105 faqesh.
Kjo po shihet si e qëllimshme nga njohës të ekonomisë, pasi vlerësojnë se shifrat reale nuk i përshtaten qeverisë.
“AKS-ja i shërben politikave qeveritare në nivel të përgjithshëm për arsye se është një institucion që po të publikonte të dhënat reale të cilat janë në bazë të regjistrimit të popullsisë, do të prezantohej një gjendje tjetër në raport me atë që është publikuar nga ministri i financave për shkallën e papunësisë dhe për punësimin”, tha Medain Hashani, profesor i ekonomisë.
“Vetë fakti që në Kosovë kemi pasur mbi 1.1 milionë qytetarë të aftë për punë dhe sot punojnë vetëm 450 mijë në sektorin privat dhe publik, është një e dhënë që e argumenton në njëfarë forme shkallën e papunësisë”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.
Në mungesë të përditësimit të statistikave, ASK-ja ende thirret në matjet e brendshme, në bazë të të cilave, papunësia figuron se është 10.7 për qind.
Por, kjo për një ish-Kryeministër e Ministër të Financave, nuk tregon gjendjen reale në vend, si shkak edhe i migrimit.
“Janë njerëz që janë larguar nga vendi, pra nuk figurojnë në statistika zyrtare si persona të papunë. Si mund të ulet norma e papunësisë në terma real kur norma e punësimit nuk rritet, norma e pjesëmarrjes në tregun e punës nuk rritet, nëse i sheh statistikat janë të pandryshueshme”, tha ish-kryeministri, Avdullah Hoti.
Ndryshe, së fundmi janë dhënë shifra të ndryshme sa i përket shkallës së papunësisë në vend. Derisa qeveria thirret në atë se papunësia është 10.7 për qind, një raport i bankës botërore i publikuar muaj më parë, thotë se në Kosovë janë të punësuar vetëm 37 për qind e fuqisë punëtore.





