Përgatiti: Arton Hamiti
As afati shtesë prej njëjavësh nuk ishte i mjaftueshëm që qytetarët e komunitetit serb të katër komunave veriore t’i nënshtrohen procesit për regjistrimin e popullsisë.
Procesi u bojkotua nga komuniteti shumicë edhe në komunën e Zveçanit, për çka kryetari Ilir Peci nuk është aspak i kënaqur.
“Sa ka qenë afati i rregullt, ka pasur një numër shumë të vogël të qytetarëve serbë, mund të them që nëse krahasohet me 10 mijë banorë sa llogaritet t’i ketë Zveçani, janë regjistruar vetëm 6 prej tyre. Javën e fundit ua kemi mundësuar regjistrimin edhe këtu në objektin e komunës. Numri është rritur, por jo me një përqindje të madhe, nuk është numër aspak i kënaqur”, tha Peci.
Procesit të regjistrimit të popullsisë nuk i janë përgjigjur qytetarët e komunitetit serb në Zubin Potok.
“Mund të them që përgjigja e qytetarëve karshi këtij procesi ka qenë shumë e vogël, s’po them që ka qenë zero, mirëpo ka individë, mos të themi që ka pasur dhjetëra ose qindra që janë ardhë me këtë afat shtesë”, tha kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.
Dy kryetarët shqiptarë thonë se fajin për bojkotimin e procesit nga pjesa dërrmuese e qytetarëve e ka shteti serb.
“Sigurisht, këtu ka ndërhy politika serbe dhe besoj që përfundimisht kjo është arsyeja. Janë largu edhe anketuesit serbë, kanë qenë 13 prej tyre”, tha kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Si duket akoma po është një ndikim i fortë i mekanizmave të Serbisë të themi te një pjesë e qytetarëve. Natyrisht thirrjes për bojkot po i përgjigjet një pjesë e madhe e qytetarëve”, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.
Më 5 prill, kur filloi regjistrimi, Lista Serbe kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Serbët nuk morën pjesë as në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, në vitin 2011.