Për shkak të kërkesave të mëdha për shërbime mjekësore, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është furnizuar edhe më shumë me barna të listës esenciale.
Krye shefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani, tha se situata është e menaxhueshme, pasi që janë mobilizuar edhe me staf mjekësor.
“Ju e dini se edhe personeli shëndetësor këto ditë fillon pushimet vjetore, mirëpo jemi munduar që kapacitetet tona ose burimet tona njerëzore t’i shpërndajmë në njësi të cilat i kemi të shpërndara në qytet. Kjo, marrë parasysh se Prishtina e ka një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që është njësi administrativo-shëndetësore, por i kemi edhe 15 qendra të mjekësisë familjare dhe po aq ambulanta nëpër regjione e fshatra. Dhe në këtë mënyrë e kemi distribuimin jashtëzakonisht të mirë edhe të rrjetit të infrastrukturës fizike apo edhe personelin. Sa i përket pajisjeve apo barnave kemi mjaftueshëm, meqë menaxhmenti i QKMF-së me Drejtorinë e Shëndetësisë ka bërë një plan ose një projekt pak më të gjerë meqë kemi parasysh se gjatë verës kemi edhe kërkesa më të mëdhaja”, tha Hashani.
Ndonëse në këto temperatura të larta, trajtimet ditore janë më se të kërkuara, Hashani potencoi se kanë mjaftueshëm shtretër për pacientët.
“Sa i përket shtretërve zakonisht Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë shtretër për infuzione zakonisht pasi këto janë trajtime ditore, mirëpo shërbimi shëndetësor ofrohet 24 orë, pacientët mund të vijnë gjatë 24 orëve dhe të marrin shërbime dhe trajtohen më pas në shtëpi. Pra marrin ndihmën e parë dhe vazhdon trajtimin në shtëpi”, tha Hashani.
Hashani ka theksuar se ditëve të fundit, për shkak të motit të nxehtë, pacientët që kanë kërkuar më së shumti ndihmë mjekësore kanë qenë ata me dhimbje koke e simptoma të ndryshme. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:





