Përgatiti: Arian Hajdaraj
Më një qershor të vitit 2023, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar ish-ministrin e Bujqësisë, Nead Rikalon, me tri vjet burgim, nën akuzat për korrupsion.
Mirëpo, një vit më vonë, Gjykata e Apelit e liroi atë dhe të dënuarin tjetër, ish-sekretarin Kapllan Halimi, i cili ishte dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj.
ATV-ja ka siguruar vendimin e Apelit në të cilin konstatohet se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ishte paraqitur asnjë provë konkrete që do të provonte fajësinë e tyre.
“Sipas aktakuzës dhe aktgjykimit, i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij. Të gjitha këto në pajtim me të Akuzuarin Nenar Rikalo, me qëllim për t’iu mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të lartpërmendura. Kolegji arrin në përfundim se nga provat e ofruara nuk rezulton e provuar se të akuzuarit kanë vepruar me synimin për t’iu siguruar kompanive përfitim të kundërligjshëm, për këtë nuk ekziston ndonjë dëshmi apo provë konkrete që vërteton këtë fakt”, thuhet në vendimin e kolegjit të Apelit, të cilën e ka siguruar ATV.
Në vazhdim të dokumentit 25-faqësh, kolegji konstaton se nuk ka mjaftuar vetëm fakti që të akuzuarit kishin pozita zyrtare, teksa për Rikalon Apeli thotë se nuk e kishte keqpërdorur pozitën e tij si ministër.
“Kolegji vlerëson se nuk mjafton vetëm fakti se të akuzuarit ishin në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë përkatëse i përhershëm. Zbatimi i programit të veçantë bujqësor, se do të bëhet vetëm përmes këtyre dy funksioneve është jokontestues, pasi kjo është një rrugë dhe procedurë institucionale, e bazuar në hierarkinë e organizimit dhe funksionimit të ministrisë, mirëpo nuk mund të nxirret konkludimi për bashkëkryerjen e mbështetur vetëm në faktin se të akuzuarit mbanin dhe i shtronin këto funksione”, thuhet më tej në vendimin e kolegjit të Apelit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, u kishin mundësuar përfitim të kundërligjshëm gjashtë kompanive.
Të akuzuar ishin edhe Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe Albana Zeqiri. Por, ata ishin liruar edhe nga Gjykata Themelore.