Një anije e ngarkuar me ndihma humanitare për Rripin e Gazës është sulmuar me dronë, në ujëra ndërkombëtare të Detit Mesdhe, afër Maltës.
Ngjarja ka ndodhur herët në mëngjesin e së enjtes, sipas organizatës ndërkombëtare The Freedom Flotilla Coalition, që ka konfirmuar lajmin përmes një njoftimi.
“Sulmi me dronë shihet të ketë pasur cak specifik gjeneratorin e anijes, dhe tani anija është në rrezik të fundosjes bashkë me 30 aktivistë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut në bord”, ka shkruar OJQ-ja në një postim në rrjete sociale, ku bashkangjitur ka publikuar edhe video që shfaqin flakë në njërën nga anijet.
Ende nuk dihet kush qëndron pas sulmit, dhe nuk ka informacione për persona të lënduar. Menjëherë pas goditjes, është lëshuar sinjali SOS, dhe sipas OJQ-së, Qipro ka reaguar duke dërguar një anije për ndihmë.
Kjo anije bënte pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dërguar ndihma banorëve të Gazës, ku situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të bllokadës izraelite.
Izraeli ka ndaluar hyrjen e ndihmave në territorin e kontrolluar nga Hamas, me qëllim që ta detyrojë këtë grup militant të çmilitarizohet dhe të lirojë pengjet izraelite që mban në kontroll.
Megjithatë, Hamas nuk ka pranuar kërkesat për çmilitarizim dhe situata në terren mbetet tejet e tensionuar.