Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një nga lojtarët më të dalluar në fitoren e Napolit ndaj Pisas, duke realizuar gol dhe duke zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në repartin defensiv.
Mbrojtësi dardan shënoi me kokë në minutën e 27-të pas asistimit të Eljif Elmas, për ta dyfishuar epërsinë e Napolit në rezultatin 0-2.
Përveç golit, Rrahmani dominoi edhe në mbrojtje, duke qenë praktikisht i pakalueshëm gjatë gjithë takimit. Paraqitja e tij u vlerësua lart edhe nga platforma e statistikave “SofaScore”, e cila e notoi me 9.3 — nota më e lartë në ndeshje.
Sipas statistikave, reprezentuesi kosovar rikuperoi topin gjashtë herë, fitoi dy duele të rëndësishme dhe tregoi saktësi të jashtëzakonshme në organizimin e lojës nga mbrojtja.
Rrahmani kompletoi plot 141 pasime nga 144 tentativa, duke dëshmuar qetësi, siguri dhe nivel të lartë në ndërtimin e aksioneve të Napolit.
Paraqitja e tij konfirmon edhe një herë rëndësinë që ka në skuadrën italiane, ku vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së kampionëve italianë.





